Tregtia me jashtë, Turqia treg i rëndësishëm për Shqipërinë
Bashkëpunimi ekonomik mes Shqipërisë dhe Turqisë ka ardhur duke u zgjeruar vazhdimisht, sidomos gjatë viteve të fundit. Edhe gjatë këtij viti, Turqia vazhdon të mbetet një ndër partnerët kryesorë tregtarë të vendit tonë, pas Italisë dhe Greqisë. Sipas Institutit të Statistikave (INSTAT), mësohet se gjatë muajit mars 2009, Turqia ka qenë një treg i rëndësishëm për importimin e mallrave. Gjatë këtij muaji janë importuar nga ky vend mallra të ndryshme me një vlerë prej 2.034 miliardë lekë (nga 1.995 miliardë lekë vitin e kaluar). Ndërsa për të tre muajt e parë të këtij viti, nga tregu turk janë importuar mallra me një vlerë prej 6.892 miliardë lekësh (nga 6.034 miliardë lekë vitin e kaluar). Vendin kryesor të mallrave të importuara nga Turqia e ka zënë grupi "Materiale ndërtimi dhe metale" me 2.726 miliardë lekë, ai "Makineri, pajisje e pjesë këmbimi" me 1.064 miliardë lekë, "Produkte kimike e plastike" me 961 milionë lekë etj. Ndërkohë, drejt tregut turk gjatë tre muajve të parë të këtij viti janë eksportuar mallra të ndryshme me një vlerë prej 87 milionë lekë, ku vendin kryesor e kanë zënë grupet "Ushqime, pije e duhan" me 59 milionë lekë, "Produkte kimike e plastike" etj. Konkretizimi i zgjerimit të bashkëpunimit tregtar me Turqinë u evidentua edhe gjatë organizimit muajin e kaluar në Tiranë të Panairit të 4-t të prodhimeve turke në Shqipëri, që u shoqërua me nënshkrimin e Memorandumit të bashkëpunimit mes Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës dhe asaj të Stambollit. Në këtë memorandum ndër të tjera theksohet se “palët do të shkëmbejnë informacione të rregullta në lidhje me zhvillimet e tregut turk dhe atë shqiptar, për të hapur ndryshimet e mëtejshme të rritjes së tregtisë ndërmjet shteteve të interesuara, çka do të shërbejë në zgjerimin ekonomik dhe industrial të bashkëpunimit ndërmjet sipërmarrjeve dhe organizatave të interesuara”.