Shkatërrimi i një fshati
Dhjetë vjet më parë, më 14 maj 1999, në Kosovën e martirizuar u krye një krim i rëndë: ushtria, policia dhe para-ushtarakët serbë dogjën fshatin dhe masakruan popullsinë civile shqiptare, e pafajshme dhe pa mbrojtje, që pagoi me jetë fatin e tyre me qenë shqiptarë në një shtet që i vrau dhe i përbuzi për më shumë se një shekull!
“Në një mëngjes të ngrohtë të vitit 1999, forcat serbe të sigurimit dhe para-ushtarake hynë në fshatin e vogël Qyshkë, në Perëndim të Kosovës, afër qytetit të Pejës. Fshatarët u kërcënuan dhe u grabitën: të holla, objekte floriri e karta identiteti. 29 burra u ndanë në tre grupe dhe u mbyllën në tre shtëpi të ndryshme. Aty u copëtuan me plumba nga armët automatike, breshëri mbas breshërie. Mandej, të tria shtëpive iu vu zjarri e viktimat u lanë brenda të digjen shkrumb. Hetimi rrëqethës i këtij krimi serb zbulon të vërtetën mbi ngjarjet në Qyshkë, thellon kuptimin tonë mbi krimet e luftës dhe hedh dritë mbi botën e para-ushtarakëve që kryen krime masive mbi popullsinë civile në emër të shtetit të tyre”.
Ky paragraf i marrë nga libri “A village destroyed-May 14, 1999” me autorë Fred Abrahams, Gill Peress dhe Eric Stover (Human Rights Watch Center: Univ. of California, 1999) përshkruan vetëm një aksion, një ditë të vetme, dhe në një fshat të vetëm të Kosovës. Me këtë paraqitje, fshati Qyshkë dhe tragjedia e popullsisë vendase shqiptare ngritën në piedestalin e monumentit të pavdekshëm të vuajtjes dhe kryqëzimit të një populli mbarë: shqiptarët e Kosovës, objekt i politikës shfarosëse serbe në Kosovë, dhe subjekt i hetimeve, zbulimeve dhe demaskimit të krimeve serbe në Kosovë, sidomos gjatë periudhës 24 mars-10 qershor 1999, periudhë e ndërhyrjes së fuqishme të NATO-s për shpëtimin e një popullsie të pafajshme, dhe e ditëve të lavdishme të rezistencës paqësore më parë, e më vonë të armatosur e të organizuar nga UÇK-ja militante.
“Fenomeni kosovar” siç quhet shpesh herë, është unik nga disa aspekte. Aty nuk ka pasur një luftë të deklaruar në mes dy shteteve; aty nuk ka pasur qëllime agresive territoriale; aty nuk ka pasur dy armiq të përgatitur për luftë të provokuar. “Fenomeni kosovar” ka qenë një masakër serbe kundër një popullsie të pafajshme, e të pambrojtur; ka qenë një aksion shtypje e shfarosjeje nga një okupator i pamëshirshëm kundër një popullsie, që përpiqej të mbijetonte katastrofën që rrinte mbi kokë; ka qenë një ushtri moderne e mbushur me urrejtje kundër një popullsie të paarmatosur, që nxirrte bukën e gojës me frikën e litarit në grykë!
Ushtria serbe, policia dhe para-ushtarakët serbë nuk sulmuan një “ushtri”, por një popullsi civile “...me një egërsi të veçantë, që ata perfeksionuan gjatë viteve të luftës në Bosnjë dhe Kroaci”. Me përjashtim të përleshjeve me forcat e UÇK-së, operacionet ushtarake serbe kanë pasur një objektiv: terrorizimin e popullsisë shqiptare dhe “spastrimin etnik” të Kosovës. Në një takim me zv.ministrin e Punëve të Jashtme të Greqisë, krimineli i luftës S. Millosheviç, deklaronte se në Kosovë do të ketë aq shqiptarë sa edhe serbë. Sipas statistikave të kohës, në vitin 1999, në Kosovë ka pasur afërsisht 210.000 serbë, dhe 1.700.000 shqiptarë. Plani i kriminelit Millosheviç parashikonte vrasjen ose dëbimin me forcë nga Kosova të 1.500.000 shqiptarëve, një valë refugjatësh që do të kishte destabilizue sidomos Shqipërinë e Maqedoninë. Natyrisht një zhvillim i këtillë negativ nuk mund të pranohej nga bota e qytetëruar!
Që nga viti 1990, “Human Rights Watsh” (HRW) ka dhënë raportin e parë, ku dokumentohej shtypja dhe masakrat serbe në Kosovë. Në një veprimtari të këtillë është dalluar për ndershmëri e saktësi aktivisti Fred Abrahams, i cili meriton mirënjohjen e të gjithë liridashësve e paqedashësve kudo që jetojnë. Në shkurt 1999, para bombardimit të NATO-s, HRW përgatiti raportin “A week of terror in Drenica. Aty paraqitet evidenca e pakundërshtueshme e krimeve serioze serbe kundër shqiptarëve, dhe rreziku i katastrofës që afrohej. Raporti ka qenë një kumbues alarmi për të gjithë, evropianë e amerikane, se diçka duhej ndërmarrë në Kosovë, për të penguar këtë katastrofë.