E Shtunë, 31 Tetor 2026

Publiku këndoi me Marigonën

Nga Arbër Ymeri më 13 prill 2011 në ora 13:14

Duartrokitje të shumta u dëgjuan në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë në Prishtinë nga adhurues të shumtë që kishin ardhur në koncertin e ditëlindjes së 20-të të grupit Marigona.

Mysafirët ndiheshin të nderuar më këtë pjesëmarrje, përderisa shumë nga ta nuk i përmbajtën lotët për këngët që u interpretuan nga grupi.

“Grupi Marigona ka bërë shumë mirë që është kthyer në skenën e muzikës kosovare dhe shpreson se ky grup do të vazhdojë të performojë këngë të bukura”, tha për Express, Arton Zymeri.

Ashtu sikurse shumë të tjerë, edhe Artoni shprehte dëshirën që Marigona të vazhdonte të këndonte dhe të krijonin hite të reja.

Por nuk ishte vetëm ai. Disa të tjerë ndiheshin të nderuar që kishin marrë ftesë nga Marigona që të përcjellin këtë koncert.

Besarta Zebica e thotë pikërisht këtë.

“Unë jam e nderuar që kam marrë pjesë në njëzetvjetorin e themelimit të grupit Marigona dhe shpresoj se ata së shpejti do të dalin me këngë të reja”, thotë ajo.

Edhe Besarta shpreson që grupi i saj i zemrës të vazhdonte të krijonte hite të tjera, ndërkaq një tjetër adhurues, Bujar Zeqiri thotë se edhe ai është ndier i kënaqur dhe i nderuar me ftesën që i është bërë.

“Marigona është grupi im më i preferuar, jo vetëm në Kosovë, por, edhe në mbarë hapësirën shqiptare. Gëzohem shumë që ka bërë këtë rikthim”.

Publiku në këtë koncert ka qenë fantastik duke kënduar në pothuajse të gjitha këngët që ka kënduar grupi gjatë njëzetvjetorit të themelimit të tyre. “Kur vdekja thërret”, ka qenë një ndër këngët që ka bërë të qajnë edhe disa të pranishëm në koncert, ndërkaq kur është puna te vallëzimi, publiku është kënaqur duke vallëzuar me këngën “Ajshe”.

Kurse njëra prej organizatorëve, Teuta Gashi tha se ka mundësi që koncerti të vazhdojë të mbahet edhe nëpër qytetet e tjera nëpër Kosovë, sepse është i dizajnuar të jetë i këtillë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›