Tri momente të Marigonës
Në sallë kishte përplot miq të tyre. Të gjithë i dinin këngët e tyre përmendësh. Por, ashtu nuk e kishin parashikuar grupi Marigona, të cilët kishin menduar që koncertin e tyre ta bëjnë vetëm për miq të tyre. Ndërkaq, dëshira e të gjithë miqve dhe adhuruesve të tyre ishte që ata të ribashkoheshin.
Katër muaj përgatitje
Ilir Tolaj është njëri prej autorëve të shumë këngëve të Marigonës. Në skenë luante në kitarë me një lehtësi të paparë, por tha se punoj disa muaj që të realizojë koncertin “unplugged” të 11 prillit. “Teknikisht nuk kemi pasur shumë vështirësi, sepse i kemi ndarë punët, p.sh. Marigona është marrë me punët e brendshme të Marigonës dhe me orkestrimin e këngëve. Notat për violina u janë dhënë harqeve, kuartetit, me ‘back vokal’ kemi punuar unë dhe Edoni. Kemi punuar 4-5 muaj”, tha ai pas koncertit. Tolaj e ka vlerësuar shumë lart këngën dhe paraqitjen e tyre “unplugged”. “Mendoj që kemi marrë vendim të mirë dhe jam shumë i kënaqur që publiku janë ndier mirë”. Në lidhje me këngët e tyre, në të ardhmen Iliri thotë se pavarësisht se kanë pauzuar për një kohë, ata në asnjë moment nuk i kanë shkëputur marrëdhëniet. Sipas tij, kompozimet për Marigonën janë si “me hangër bukë në shpi tënden dhe jo si me hangër bukë në shtëpi të kojshive”. “Jemi si një familje që kemi punuar që njëzet vjet bashkë”, thotë ai. Kur flet për ndonjë hit të ri, ai madje jep të kuptojë se Marigona tashmë kanë filluar përgatitjet për këngë të reja. “Periudha kur jemi shkëputur një kohë ka qenë kur të gjithë anëtarët kanë nxjerrë diçka prej vetes, me disa stile të ndryshme. Kjo është më e mira e Marigonës, kur të gjithë anëtarët sjellin ide. Më parë, ka pasur elemente elektronike. Tash mendoj që do të punojmë vetëm me akustikë, pra gjithçka do të jetë live, pa ilustrime kompjuterësh. Pra, duhet të vazhdojmë me forcat tona, jo me teknologji”.
Repon me shokun
Marigona, rrugëtimin e tyre e filluan në urën e lumit Ibër. Tani aty është vështirë të këndohet. Por, në rininë e tij, atëherë kur ministri aktual i Kulturës shkruante lirika dhe thurte lirikat e repit, kishte shkruar një këngë për Mitrovicën, qytetin e tij. Atë e realizoi në bashkëpunim me Marigonën, qytetin ku u zhvillua më së shumti roku në Kosovë. “Për mua, ka qenë fat që kam mundur të bëj këngë me Marigonën. Sot kam kënduar, sepse mendoj se ua kam pasur borxh qytetarëve të Mitrovicës shumë gjëra, pasi që ata më kanë mbështetur gjatë gjithë karrierës time. Para së gjithash, është një këngë që ka një mesazh, edhe pse është shkruar para disa viteve”. Memli ka pesë vjet që nuk ka qenë i pranishëm në skenë muzikore kosovare, apo nuk është i pranishëm në ndonjë koncert me grupin e tij “Ritmi i rrugës”. Tash, ministër dhe politikan, ministri u nda i kënaqur edhe me interpretimin e tij. “Tash ky ishte një emocion i jashtëzakonshëm për shumë arsye - për shkak të distancës kohore dhe për shkak të momentit. Ka kënduar Memli, por tash Memli është edhe ministër. E rëndësishme është që pa planifikuar shumë, kënga doli mirë”, ka thënë ai.
Vullneti këndoi me vullnet
Vullnet Sefaja ishte ulur para mikrofonit dhe me “sefa” këndonte. Pas interpretimit të këngës së parë, ku vetë pranoi se e ka më së vështiri ta këndojë këngën e parë, ai nuk kishte vështirësi për të shkuar më tutje në interpretimet e tij. Këndoj një orë e gjysmë. Ai tha se ndihet shumë mirë pas koncertit. “Ndihem shumë mirë, pasi që njerëzit dhe publiku kanë kaluar shumë mirë. Edhe grupi janë shumë të lumtur dhe për të gjithë ne është një ndjenjë që vështirë mund të përshkruhet”. Edhe ai thotë se për të festuar 20-vjetorin e themelimit të tyre, ishin ulur me Ilirin dhe kishin diskutuar shumë këtë format. “Vendosëm të bëjmë një koncert “unplugged” dhe mendoj se njerëzve iu ka pëlqyer ky format”. Edhe Vullneti, sikurse Iliri, nuk premton shumë, edhe pse e pranon se grupi është duke diskutuar për krijimin e një klipi të ri për adhuruesit e tyre. “Jam një njeri që nuk premtoj. Më mirë është t’ia lëmë kohës. Kjo çka kemi bërë, e kemi filluar me shumë pak zhurmë edhe kemi dashur të bëjmë një mbrëmje modeste”.
Ndërkaq, Vullneti tregon edhe për këngën e tij të parë që e ka incizuar në studio, e cila është kënga “Endacaku i rrugës”. Por kur pyetet për herën e fundit që ka dalë nga studioja, ai thotë se “nuk i kujtohet”.