Manjola Bejleri, morali, ligji dhe projektligji për hapjen e dosjeve

Manjola Bejleri me cilësinë e kryetares së një shoqate gjyqtarësh, doli dje kundër projektligjit “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, i njohur si “Ligji i dosjeve”. Dalja e saj në mbrojtje të gjyqtarëve që “në emër të popullit” (jo të ligjit), kanë dënuar dhjetëra mijëra shqiptarë të pafajshëm, pse ata mendonin ndryshe nga kasta e diktaturës së proletariatit, përveçse dukej si një dalje e sforcuar, ishte një dalje pa kurrfarë të drejtë të njohur me ligj, dhe për më tepër ishte një dalje që shkelte hapur një kod moral, që shoqëria shqiptare prej 18 vjetësh ende nuk po e ligjëron dot, atë që ka të bëjë aq sa me dënimin e krimeve të komunizmit, aq edhe me privimin e xhelatëve të atij sistemi nga disa të drejta, që ata vetë i shkelën për mbi 45 vjet (nga viti 1944 deri në vitin 1990).
Morali
Në historinë e përndjekjeve politike të para vitit 1990 në Shqipëri, kanë qenë të shumta burgosjet dhe internimet politike të dhjetëra mijërave shtetasve shqiptarë. Skemat e dënimit të tyre ishin të njëjta, arrestime, hetuesi, akuzat e prokurorit dhe dënimi i gjykatësit. Në gjithë këtë “sistem drejtësie” të atëhershëm, njerëzve të të cilit Manjola Bejleri ju qan hallin sot, mungonin avokatët, por jo dëshmitarët e sajuar, ashtu sikurse mungonin apelimet e vendimeve, ndërsa këtë “të drejtë” apo “meritë” të uljes së dënimit, apo faljes, e kishte partia dhe udhëheqësi.
Janë të shumta historitë që të njëjtët persona, për të njëjtat akuza të ridënoheshin e stër-ridënoheshin, disa prej të cilëve duke gjetur edhe vdekjen në burgjet dhe internimet politike.
Dhe e gjithë kjo farsë gjyqesh politik, kishte edhe gjyqtarët e saj popullorë e politik, që vinin “nga fshatarësia kooperativiste”, “klasa punëtore”, por që sigurisht në biografinë e tyre nuk kishin “njolla”.
Këta gjyqtarë, që më pas kanë dënuar me vdekje e varje në litar deri edhe poetë, merr përsipër të mbrojë Manjola Bejleri, sepse ajo mendon (dashtë zoti nuk e beson), se po të largohen këta gjyqtarë do të vij kiamet dhe nuk do të kemi gjyqtarë bie fjala, për në Gjykatën Kushtetuese, Gjykatën e Lartë, Gjykatat e Apelit, e deri te Gjykatat e Shkallëve të Para.
Po ç’ne, ju qan hallin këtyre gjyqtarëve Manjola Bjeleri, që dje jepnin dënime “në emër të popullit”. Përpos kësaj sjellje amorale të Manjola Bejlerit ka brenda edhe një hipokrizi, që më shumë se nga ajo vetë, buron nga ata që e karikojnë dhe e nxisin këtë, gjasme kryetare shoqate gjyqtarësh, të kundërshtojë “Ligjin e dosjeve”.
Le të rikthehemi, jo shumë, por fiks 10 vjet pa dy javë, më parë.
Pikërisht në datën 28 dhjetor 1998, parlamenti miratoi Ligjin Nr. 8436, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.
Në kreun e gjashtë të këtij ligji, “Dispozita tranzistore”, pikërisht Neni 48 i tij, shprehimisht thotë: “Të gjithë gjyqtarët e shkallës së parë, që kanë punuar si gjyqtarë për më pak se 10 vjet, do t’i nënshtrohen një provimi kualifikimi profesional, teorik dhe praktik, me shkrim e me gojë. Provimi do të organizohet nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë në bashkëpunim me Shkollën e Magjistraturës dhe Fakultetin Juridik të Universitetit të Tiranës. Ai do të mbahet jo më vonë se 1 qershori i vitit 1999. Pavarësisht nga përcaktimi i nenit 27 të këtij ligji, gjyqtarët që nuk e kalojnë provimin, shkarkohen nga detyra me vendim të Këshillit të Lartë të Drejtësisë”.
Pas kësaj, u organizua vërtet një konkurs, i cili u përdor si ndëshkim për gjyqtarët e post vitit 1990, që kishin “punuar si gjyqtarë për më pak se 10 vjet”. Jo vetëm kaq, por sot, herë herë, në krah të Manjola Bjelerit shfaqet njëri nga ata gjyqtarë, që ndërsa 10 vjet më parë, ishte “partizani” i moshyrjes në këtë biçim provimi, në çastin e fundit, tradhtoi, hyri në provim dhe falë kësaj, është dnër të paktët gjyqtarë që megjithëse 10 vjet më parë kishte “punuar si gjyqtarë për më pak se 10 vjet”, sot vazhdon të jenë gjyqtarë, pavarësisht se në ambiciet e tij, për t’u votuar si kandidat në forume të ndryshme të gjyqësorit, është ndëshkuar nga votat e gjyqtarëve anëtarë të Konferencës Gjyqësore, që nuk i besojnë më pabesisë së tij të 10 viteve të shkuara.
Pavarësisht kësaj tradhtie të rëndomtë, atëherë por ende sot, jo Mnajola Bjeleri, por askush tjetër nuk shfaqi as interesimin më të vogël, të shmangte dënimin kolektiv të gjyqtarëve të parë të post diktaturës komuniste.
Kaq besoj mjafton që Manjola Bejleri dhe manjolat e shoqatës-tufë të saj të mos ndihen, pse tashmë po kërkohet të largohen ndoca gjyqtarë që dënonin me vdekje e varje në litar “në emër të popullit”, ndërsa 10 vjet më parë, ishte më se normale të veprohej njëlloj sikurse 18 vjet më parë, kur të dënoheshin në mënyrë kolektive, gjyqtarë që nuk i kishte vënë vetë ai regjim...
Ligji
Ndërsa “morali” është qëndrim “fakultativ” i gjithsecilit, sikurse edhe për Manjola Bejlerin, ligji është ai që nuk e lejon këtë kryetare shoqate, të merret me atë që ia takon politikës.
Sistemi i drejtësisë, veçanërisht gjyqësori në Shqipëri, funksionin në bazë të Ligjit
Nr. 8436, të datës 28 dhjetor 1998, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”.
Ky ligj, ju njeh disa të drejta dhe detyrime gjyqtarëve.
Konkretisht, neni 3 i këtij ligji thotë shprehimisht se, “Gjyqtarët, në ushtrimin e funksionit të tyre janë të pavarur dhe i nënshtrohen vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”.
Pyetja është cilat ligjeve, ligjeve që miraton Kuvendi i Shqipërisë, apo ligjeve që kundërshtojnë (tentojnë të miratojnë) vetë ndoca gjyqtarë.
Për rastin konkret, Manjola Bejleri dhe ata gjyqtarë që 10 vjet më parë bënin rolin e “tradhtarit”, mundohen sot të imponohen si faktorë që duhet të vendosin ata dhe vetëm ata për projektligjin “Për pastërtinë e figurës së zyrtarëve të lartë”, i njohur si “Ligji i dosjeve”. Këtë Manjola Bejleri edhe dje u mundua ta bëjë duke tentuar ti imponojë Kuvendit të Shqipërisë, mosvotimin e “Ligjit të dosjeve”, duke marrë kështu, në mos rolin dhe qëndrimin e partive të opozitës, të paktën rolin e “G 99”-ës apo “Mjafti”it. Pikërisht këtë bëri dje Manjola Bejleri, duke e vënë veten si “të barabartë mes të barabartëve” (duke mos qenë realisht kështu), pavarësisht se ajo pretendon se përfaqëson gjyqësorin një pushtet tjetër të pavarur nga legjislativi, sikurse po aq është edhe vetë legjislativi i pavarur nga gjyqësori.
Neni 29 i Ligjit Nr. 8436, të datës 28 dhjetor 1998, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, sanksionon që “Gjyqtarëve u ndalohet të bëjnë pjesë në parti politike ose të marrin pjesë në veprimtari me karakter politik”.
Këtë e kishte harruar dje kryetarja e klonuar e shoqatës së klonuara të gjyqtarëve, ndërsa me entuziazëm, të paparë, që do ua kishte zili edhe Erion Veliaj i “G 99”-ës, u bë dje aktore me “karakter politik”, në një “debat me karakter politik”, në kundërshtim me ligjin.
Ligji Nr. 8436, të datës 28 dhjetor 1998, “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, ua ka përcaktuar qartë Manjola Bejlerit dhe gjyqtarëve të shoqatës së saj, aktivitetin “në kohën e lirë”.
Neni 35, shprehet qartë se, “Gjyqtarët janë të lirë të krijojnë shoqata ose organizata për të mbrojtur të drejtat dhe interesat e tyre, si dhe për ngritjen profesionale”.
Në këtë kontekst, të organizuar në shoqata, gjyqtarët e klonuar të shoqatave të klonuara, nuk mund të ngrenë zërin për asgjë më shumë se, bie fjala, pagat e tyre, moshën e pensioneve, ditët e pushimeve javore e vjetore, për makinë, karburant, shoferë apo truproja, por jo, të marrin përsipër të kundërshtojnë (miratojnë) ligje, ndaj të cilave (ligjeve) kanë vetëm detyrimin t’i zbatojnë.
Në qoftë se ata gjyqtarë, sikurse ajo e djeshmja, ka pasion politikën, ka alternativa dhe mundësi të shumta, jo vetëm në kuadrin e “barazisë gjinore”. E pra, ajo, apo edhe të tjerë gjyqtarë(e), mund të japin dorëheqjen nga pushteti “gjyqësor” dhe të kapërcejnë në pushtetin “legjislativ”, ku mund të bëjnë lobing pastaj për çfarëdo meraku që (s’)kanë.
Pyetjes së mundshme “po për pjesën tjetër veç pagave të tyre, moshës së pensioneve, ditët e pushimeve javore e vjetore, për makinat, karburantet, shoferët apo truprojat, kush do të merret?”, sigurisht ka një përgjigje, që e jep ligji.
Pikërisht Ligji Nr. 9399, i datës 12 maj 2005 “Për organizimin dhe funksionimin e Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, në nenin 1 të tij, midis të tjerave parashikon që, “Konferenca Gjyqësore Kombëtare e Shqipërisë (KGJK) është organi përfaqësues i gjyqtarëve të të gjitha niveleve të Republikës së Shqipërisë...”.
Dhe i njëjti ligj, nën nenin 2 të tij, kur flet për “Kompetencat”, midis të tjerave parashikon që “KGJK-ja ka këto kompetenca...: bën propozime për përmirësimin e kuadrit ligjor dhe institucional të pushtetit gjyqësor, në përputhje me Kushtetutën”.
Ky ligj dhe të tjerë, nuk njohin asnjë person tjetër, qoftë apo jo Manjola Bejleri, që të mund ti veshë vetes kompetenca jo aq “të pamerituara”, se sa “për inat” apo “për nder” të kushedi kujt, që pse të mos e themi, ka marrë përsipër ajo (apo ata) gjyqtarë(e)...
Jo për gjë, por nuk tingëllon as normale, që dikush të tentojë të imponojë ligje apo rregulla, brenda të njëjtit sistem, vetëm dhe për t’u siguruar “pleqëri të mbarë”, ndoca gjyqtarëve që kanë dënuar me vdekje e varje në litar persona që “mendonin ndryshe”, kur jo më shumë se 10 vjet më parë, të parët gjyqtarë të post diktaturës, u linçuan në mënyrë kolektive...