1988/Kristaq Rama firmosi vendimin me vdekje në litar për Havzi Nelën
“Armik i betuar i pushtetit popullor”. Ky është motivi i vetëm që Presidiumi i Kuvendit Popullor, me vendimin nr.85, datë 16 korrik 1988 ka vendosur të dërgojë në litar poetin Havzi Nela i dënuar për herë të fundit nga regjimi komunist. Vendimi me formë të prerë i Gjykatës së Lartë, i është dërguar Presidiumit të Kuvendit Popullor për vendimin përfundimtar, anëtarët e së cilit duke mos qenë të mbledhur të gjithë, kanë firmosur vendimin për ekzekutimin me varje në litar të poetit. Për ata që kanë harruar po kujtojmë se Presidiumi i Kuvendit Popullor ishte një organ kolegjial që luante rolin e kryetarit të shtetit. Ai dilte nga gjiri i Kuvendit Popullor (deputetët), përbëhej nga 15 anëtarë, nga të cilët 3 nënkryetarë dhe një sekretar.
Ky vendim nuk ka votat e shumicës, por është firmosur vetëm nga disa anëtarë të tij si dhe nga vota me telefon e anëtares Emine Guri e cila është shprehur dakord. Të tjerët kanë firmosur. Disa nuk kanë qenë. Nga ata që kanë nënshkruar janë: Rita Marko (nënkryetar), Sihat Tozaj, Eleni Selenica, Kristaq Rama, Lumturi Rexha dhe Rahman Hanku. Ky vendim që nuk ka marrë shumicën ka çuar në litar poetin Nela.
Kristaq Rama, deputet i Durrësit prej shumë vitesh, në vitet 1987 – 1991 ishte edhe anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor. Votimet e tij, në Presidium janë edhe në vendime të tjera për çështje të tilla. Ndoshta ky fakt është një arsye më shumë që partia e Edi Ramës ka frikë nga publikimi i dosjeve të diktaturës dhe e të vërtetave brenda tyre.