E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, pranga për korrupsion 2 policëve

Shkodër- Dy efektivë policie janë vënë në pranga nga kolegët e tyre, pasi akuzohen për korrupsion pasiv. Petrit Nikolli, me detyrë shef i linjave të sektorit të qarkullimit rrugor në komisariatin e policisë së Pukës dhe Besnik Sokoli, efektiv i policisë së qarkullimit rrugor po në këtë komisariat janë arrestuar sot.

Ka qenë shërbimi i kontrollit të brendshëm, i cili prej disa kohësh mësohet se ka hetuar e grumbulluar informacion për aktivitetin e dy efektivëve të policisë rrugore të Pukës.

Vetëm pasi janë kryer veprimet përkatëse nga ky sektor dhe janë grumbulluar provat që i implikonin dy policët është vendosur të ekzekutohej ndalimi i tyre. Në momentin e ndalimit, dy efektivëve të policisë së qarkullimit rrugor të Pukës u janë gjetur e sekuestruar si provë materiale një sasi kartmonedhash të huaja dhe shqiptare.

Mësohet se polici rrugor dhe shefi i linjave ushtronin presion ndaj drejtuesve të automjeteve, kryesisht atyre me targa të huaja, mjeteve të shtetasve kosovarë, por dhe shqiptarë, për bllokim automjetesh e vënie gjobash në shuma ë mëdha. Dhe pasi merrnin para prej tyre, atëherë i linin të kalonin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›