E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pukë, reduktohet orari i qendrave shëndetësore

Nga Besian Ajazi
Reduktohet orari i shërbimit të qendrave shëndetësore në rrethin e Pukës. Nga 24 orë shërbim që garantonin këto qendra deri tre muaj më parë, tashmë do të jenë të hapura vetëm 8 orë në ditë. 

PUKE- Vendimi i Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor në rrethin e Pukës për reduktimin e orareve të funksionimit të Qendrave Shëndetësore nga 24 në 8 orë, ka shkaktuar shqetësime serioze për banorët e komunave në veri të vendit, të cilat ndodhen larg qendrave Spitalore. Në këtë rreth banorët e komunave Gjegjan e Iballë e shikojnë vendimin si një absurditet që vë në lojë jetën e njerëzve. Banorët e Gjegjanit, kërkojnë të dijnë se ku mund të marrin shërbimin shëndetësor gjatë orëve të pasdites apo natës.

Shqetësimit të banorëve i janë bashkuar edhe krerët e komunave. Kryetari i Komunës Gjegjan, Ndue Cara e cilëson vendimin e ISKSH si të nxituar dhe kërkon rishikimin e tij.
“E kemi përcjellë shqetësimin tonë në organet shtetërore duke i sensibilizuar ata për mundësinë e rishikimit të vendimit për të reduktuar oraret e funksionimit të qendrave shëndetësore.” Thekson Cara.
Reduktimi i shërbimt shëndetësor shikohet nga banorët e rrethit të Pukës si një tjetër goditje nga reformat qeveritare duke i detyruar të braktisin vendbanimet e tyre .
(e.n/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›