E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pula i gjuhet KEK`ut

Kërkesa e udhëheqësve të KEK-ut, për vënien në punë të bllokut A2 të termocentralit Kosova A, e ka befasuar ministren e Energjisë dhe Minierave, Justina Pula Shirokën.

Sapo ka marrë vesh këtë lajm, ajo ka kërkuar nga kryetari i Bordit të Korporatës, Fadil Çitaku, të mos insistojë në këtë çështje dhe ia ka përkujtuar se është vendosur tashmë edhe nga kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, që ai bllok të mos aftësohet.

Megjithatë, menaxhmenti i KEK-ut, është i bindur se sikur ky bllok të ishte në funksion, konsumatorët do të furnizoheshin 24 orë pa ndërprerë me energji elektrike.

Por, në letrën e 15 tetorit që ka siguruar Expressi, sipas ministres Pula, Çitaku po këmbëngul në një çështje tashmë të përfunduar, pasi që edhe në strategjinë e re të energjisë 2008-2018, nuk parashihet që blloku A2 të punojë.

Këmbëngulja juaj e përsëritur dhe përpjekja për bërjen e një projekti, realizimi i të cilit përjashtohet me dokumentet e lartpërmendura (Strategjinë e energjisë dhe vendimin e kryeministrit), dëmton kredibilitetin e institucioneve të shtetit dhe i vë ato në pozicion të pafavorshëm ndaj komunitetit të donatorëve dhe investitorëve potencialë, thuhet në letër.

Gjithashtu, thuhet se kryeministri i Kosovës, me letrën e 1 tetorit të këtij viti, dërguar shefit të ECLO-së, e ka bërë të qartë anulimin e çdo aktiviteti për aftësimin e këtij blloku.

Kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Fadil Çitaku, i është bindur urdhrit të ministres dhe ka bërë të ditur që në mbledhjen e ardhshme të Bordit do të marrë vendim për anulimin e kësaj kërkese.

Nëse aksionari nuk do që të bëhet ajo punë, ne nuk do të vazhdojmë. Aksionar është Qeveria dhe ne jemi munduar të japim një arsyetim, por nuk është pranuar, është shprehur Çitaku.

Sipas tij, ky bllok do të prodhonte 100 megavat dhe do të plotësonte nevojat për furnizim me energji elektrike, por do ti përfillin politikat energjetike të parapara me dokumentet strategjike të Qeverisë së Kosovës.

Edhe zëdhënësi i KEK-ut, Viktor Buzhala, shpjegon se insistimi i vazhdueshëm i Bordit dhe menaxhmentit për revitalizimin e A2-shit, është bërë për të furnizuar konsumatorët me energji elektrike 24 orë dhe për të siguruar rezerva në raste të paplanifikuara.

Riaktivizimi i bllokut A2 do të siguronte reduktimin e importit në minimum, rezervë brenda vendit dhe ngritje të prodhimit, e domosdoshme deri në ngritjen e kapaciteteve të reja energjetike, ka thënë Buzhala.
Sipas tij, Bordi i drejtorëve së bashku me menaxhmentin e KEK-ut e kanë arsyetuar këtë kërkesë dhe pra ekziston arsyeshmëria teknike dhe ekonomike.

Buzhala thotë se strategjia e energjisë është respektuar në përpikëri.

Ndërkaq, në strategji thuhet se blloqet A1 dhe A2 janë jashtë funksionit dhe nuk parashikohet riaktivizimi i tyre. Kapacitetet aktuale prodhuese në TC Kosova A përfshijnë prodhimin e bllokut A3 me 115 MW, A4 me 115 MW dhe A5 me125 MW.

Me gjithë riparimet kapitale në këto tri blloqe, ato edhe më tutje janë të pasigurta në operim, thuhet në strategji.

Me tri njësi të TC Kosova A dhe 2 njësi të TC Kosova B, KEK-u furnizon qytetarët me 870 MW, derisa disponueshmëria e njësive në TC Kosova A nuk është në nivelin e mjaftueshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›