E Diel, 1 Nëntor 2026

BB: TEC-i i Vlorës, me rëndësi për të ardhmen, nuk e ndot mjedisin



Raporti i Bankës Botërore ka vlerësuar rëndësinë që ka ndërtimi i TEC-it të Vlorës, në përmirësimin me energji elektrike për Shqipërinë. Nga ana tjetër, Ekipi Menaxhues ka vlerësuar konkluzionet e Panelit që termocentrali nuk do t’i tejkalojë kufijtë e lejuar për lëshimin e gazrave dhe shkarkimin e ujërave ftohës; nuk do të ndikojë negativisht në Lagunën e Nartës dhe nuk ka sjellë ndonjë dëmtim ose shkatërrim të ndonjë trashëgimie kulturore ose të habitateve të rëndësishme natyrore. Paneli ka konstatuar se Banka ka punuar ngushtë me qeverinë në hartimin e ligjit për planifikimin e territorit dhe shpreh kënaqësinë që Ekipi Menaxhues njeh nevojën e një planifikimi të përgjithshëm për Gjirin e Vlorës.

TEC- i Vlorë është me rëndësi për të ardhmen në Shqipëri, pasi energjia e prodhuar prej tij do të përmirësojë ndejshëm furnizimin me energji në vend. Nga ana tjetër, ndërtimi i tij nuk do të sjellë probleme për ambientin dhe nuk do të krijojë ndotje në zonën ku do të realizohet. I këtij mendimi ka qenë dje Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore, i cili diskutoi Raportin dhe Planin e Veprimit të Ekipit Menaxhues që i përgjigjet një hetimi të Panelit të Inspektimit të “Projektit të prodhimit dhe ristrukturimin të sektorit të energjisë në Shqipëri”. Sipas këtij raporti: “Projekti për prodhimin dhe ristrukturimin e sektorit të energjisë” synon ta shtrijë dhe diversifikojë furnizimin e Shqipërisë me energji elektrike të prodhuar në vend, me qëllim që të plotësohet kërkesa në rritje e vendit për energji, duke ndërtuar një central të ri me naftë me përmbajtje të ulët squfuri me fuqi 97 MW”. Raporti vëren se vitet e fundit, Shqipëria ka vuajtur nga mungesa e energjisë elektrike, gjë që ka ngadalësuar zhvillimin ekonomik dhe ka sjellë ndërprerje të shpeshta, duke prekur popullsinë në mbarë vendin. Në vitin 2002, qeveria shqiptare i kërkoi Bankës Botërore të ndihmonte në sigurimin e financimeve nga donatorët për ndërtimin e një termocentrali të ri rreth gjashtë kilometra në veri të qytetit të Vlorës. Raporti vijon më tej se në maj 2007, Paneli i Inspektimit mori një kërkesë për inspektim nga Aleanca Qytetare për Mbrojtjen e Gjirit të Vlorës në emër të banorëve të Vlorës. Kërkesa ngrinte një sërë shqetësimesh mjedisore, sociale, kulturore dhe ekonomike, që lidheshin me projektin siç ishte hartuar. Në të citoheshin shqetësime se projekti do të “…shkatërronte mjedisin, turizmin, zonat e sigurta për peshkim, habitatin natyror, ekosistemin, kolonitë koralore, si dhe vlerat unike historike dhe kulturore të gjithë Gjirit të Vlorës dhe Lagunës së Nartës”. Në raportin e vet, Paneli i Inspektimit vë në dukje rëndësinë e projektit për përmbushjen e nevojave të Shqipërisë për energji elektrike. Megjithatë, Paneli konkludoi se Banka Botërore nuk kishte respektuar disa dispozita të politikave të Bankës në lidhje me vlerësimin e projektit, vlerësimin mjedisor, menaxhimin e pasurive kulturore dhe vlerësimin ekonomik. Gjithashtu, Paneli konstatoi mangësi të ndjeshme në përmbushjen e kërkesave të politikave të Bankës për konsultimet. Megjithatë, Paneli i Inspektimit pranon se termocentrali tashmë është ndërtuar dhe vëmendja duhet drejtuar tek funksionimi i tij në të ardhmen. Verner Kiene, kryetari i Panelit të Inspektimit, vuri në dukje: “Për sa i takon të ardhmes, Paneli shpreh kënaqësinë që Ekipi Menaxhues pajtohet me nevojën për një plan të detajuar për reagimin ndaj derdhjeve të naftës përpara se termocentrali të vihet plotësisht në punë. Është e nevojshme të sigurohet sa më parë blerja pa vonesë e pajisjes së nevojshme si dhe të ndihmohen autoritetet shqiptare për të ngritur strukturat e duhura për të bërë të mundur një reagim të shpejtë ndaj rrjedhjeve të mundshme të naftës, që mund të kërcënonin Gjirin e Vlorës dhe industrinë e turizmit atje. Paneli konstaton se Banka ka punuar ngushtë me qeverinë në hartimin e ligjit për planifikimin e territorit dhe shpreh kënaqësinë që Ekipi Menaxhues njeh nevojën e një planifikimi të përgjithshëm për Gjirin e Vlorës”. Ekipi Menaxhues vlerëson konkluzionet e Panelit që termocentrali nuk do t’i tejkalojë kufijtë e lejuar për lëshimin e gazrave dhe shkarkimin e ujërave ftohës; nuk do të ndikojë negativisht në Lagunën e Nartës dhe nuk ka sjellë ndonjë dëmtim ose shkatërrim të ndonjë trashëgimie kulturore ose të habitateve të rëndësishme natyrore. Një shqetësim i Panelit të Inspektimit ishte se studimi i fizibilitetit dhe ai i vlerësimit të mjedisit u përgatitën nga një firmë e vetme konsulente, e cila nuk është në përputhje me politikën e vlerësimit mjedisor, që kërkon përgatitjen e një vlerësimi mjedisor të pavarur. Ekipi Menaxhues vë në dukje se nëse në të ardhmen krijohen situata të ngjashme, menaxherët jo vetëm që do të kenë kujdes që të bëhet një analizë e pavarur e vlerësimit mjedisor nga specialistë të kualifikuar, por ata do t’i kërkojnë bordit të eliminojë dispozitën specifike të politikave. Ekipi Rajonal Menaxhues ka marrë masa që çështjet sociale të konsiderohen plotësisht gjatë fazave të përgatitjes dhe zbatimit të projekteve të ardhshme në rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore. Gjithashtu, menaxhuesit do të marrin masa që vlerësimet e ardhshme mjedisore për projekte të mbështetura nga Banka të përcaktojnë në mënyrë më të plotë zonat që mund të dëmtohen, duke siguruar një njohje më të gjerë të çështjeve. Ekipi Menaxhues paraqiti një plan veprimi për të trajtuar çështjet e ngritura nga Paneli. Bordi miratoi Planin e Veprimit të Ekipit Menaxhues dhe u ra dakord që Ekipi do t’i raportojë Bordit në lidhje me zbatimin e Planit të Veprimit pas gjashtë muajsh. Plani i Veprimit përfshin elementët e mëposhtëm: të përqendrohen përpjekjet me qëllim që, përpara fillimit të aktivitetit komercial të termocentralit, të jetë në funksion plotësisht një plan për parandalimin dhe reagimin ndaj derdhjeve të naftës; të bëhet kujdes që, në termocentral, të vazhdojë monitorimi modern i mjedisit edhe me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të komunitetit dhe të shkëmbehen informacione me shoqërinë civile; si dhe t’i jepet ndihmë qeverisë shqiptare (përmes një granti nga Fondi për Zhvillimin Institucional) për forcimin e kapaciteteve për zbatimin e Konventës së Arhusit në lidhje me proceset e informimit dhe konsultimit. Ekipi Menaxhues gjithashtu, vuri në dukje se do të vazhdojë të angazhojë qeverinë shqiptare në përmirësimet për planifikimin e territorit. Vlerësohet se shpenzimet e përgjithshme për projektin arrijnë në 112.66 milionë dollarë amerikanë. Përveç një kredie prej 25 milionë dollarësh amerikanë (16.9 milionë SDR) nga Shoqata Ndërkombëtare për Zhvillim e Bankës Botërore, projekti financohet edhe nga një hua e Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) prej 37.5 milionë dollarësh amerikanë dhe një hua e Bankës Evropiane për Investimet (EIB) prej 37.5 milionë dollarësh amerikanë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›