E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sejdiu ngushëllon familjet e viktimave

Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, që humbën jetën në lumin "Tisa".

"Institucionet e Republikës së Kosovës janë në kontakt të vazhdueshëm me institucionet relevante, me qëllim të zbardhjes së rrethanave të ngjarjes, me shpresë se personat e tjerë që udhëtonin me tri viktimat tashmë të konfirmuara të jenë gjallë. Shpirtërisht dhe në lutje jemi me familjet e viktimave në këto çaste pikëllimi", thuhet në një kumtesë të Zyrës së Presidentit.

Dje autoritetet policore hungareze konfirmuan se është gjetur edhe kufoma e tretë në lumin Tisa, ndërsa zyrtarë të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës thanë se dyshohet që Brahim Koci të jetë një nga viktimat e mundshme të rastit tragjik.

Ndërkohë policia hungareze ka bërë të ditur për Express se është identifikuar edhe kufoma e bashkëshortes së Blerim Ramës, i cili ka deklaruar se është i vetmi që ka shpëtuar nga mbytja së bashku me dy fëmijët e tij.

Gruaja e tij, Elvira, 23-vjeçe, dyshohet se ka vdekur së bashku me 15 persona të tjerë.

Policia e Kosovës duket se i ka rënë në gjurmë trafikantit. Dyshohet se ai është një banor i fshatit Ballofc të Podujevës.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›