E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Tartufi” i Prishtinës vjen në Tiranë



Në kuadër të muajit Shqipëri – Kosovë, skena e Teatrit Kombëtar do të mirëpresë së shpejti dy shfaqje të suksesshme të Teatrit të Prishtinës: “Çifti Martin” i Joneskos dhe “Tartufi” i Molierit. “Çifti Martin”, me regji të Bekim Lumit është cilësuar si një përrallë e përbotshme njerëzore, e cila me ekspresivitetin e saj skenik dhe motivin artistik, synon ta rrëmbejë dhe ta fisnikërojë publikun, ta mallëngjejë, ta gëzojë, ta bëjë atë të qeshë dhe njëkohësisht të qajë me lot ironie pikëllimi, dëshpërimi e gëzimi. “Tartufi” i famshëm i Molierit do të jetë shfaqja tjetër që trupa nga Prishtina do të japë në Tiranë. E reja e “Tartufit” kosovar është se koprraci nuk do të jetë krishterë, siç është në origjinalin e komedisë së Molierit, por mysliman, i veshur në petka të gjelbra. Edhe kësaj here, sipas një praktike mjaft të përhapur kohëve të fundit, teksti origjinal do të vihet në skenë i shkurtuar dhe adaptuar, punë që regjisori Rrahim Burhan e ka bërë në bashkëpunim edhe me aktorët e trupës.

Kitara e Zagrebit në Akademinë e Arteve

Një kuartet kitaristësh nga Zagrebi, Kroaci, do të japin një koncert në Akademinë e Arteve në Tiranë. Më datë 6 mars artistët do të vijnë në kuadrin e edicionit të 9-të të sezonit koncertor ndërkombëtar të muzikës “Klasik”. Sezonet koncertore ndërkombëtare të muzikës organizohen nga shoqata kulturore “Syri Blu” dhe shoqata “Miqtë e Muzikës”. Kalendari pesëmujor (janar-maj 2009) i këtij aktiviteti përmban shfaqje të ndryshme të muzikantëve nga shumë vende të botës si Franca, Italia, Zvicra, Çekia, Gjermania, Shqipëria, Spanja, Rusia, Austria, Hungaria dhe Izraeli. Qëllimi i koncerteve dhe ngjarjeve të mbajtura në kuadrin e sezonit koncertor ndërkombëtar të muzikës “Klasik” është të promovojë vlerat muzikore interpretuese evropiane dhe kombëtar për të krijuar një platformë integruese dhe për të pasuruar jetën artistike dhe kulturore shqiptare.

“Historia e ekonomisë”, vjen përkthimi i Pashkos

“Historia e ekonomisë” është libri më i ri i dalë në treg nga autori John Kenneth Galbraith. Kjo vepër shumë e vyer si për ekonomistët, ashtu edhe për studentët, vjen e përkthyer nga prof. Gramoz Pashko, nga botimet IDK. Ky libër vjen pas shumë kërkesash nga lexuesi, ribotohet libri “Historia e ekonomisë” i autorit të mirënjohur kanadezo-amerikan John Kenneth Galbraith, ekonomisti më i lexuar i shekullit të njëzetë, librat e të cilit janë mjaft aktualë në krizën e sotme botërore.

John Kenneth Galbraith, (1908-2006), ish-profesor në Universitetin e Harvardit dhe drejtor i Akademisë Amerikane të Arteve e Letrave dhe Shoqatës Amerikane të Ekonomisë, është autori i 31 librave gjatë pesë dekadave të fundit, dhe ka marrë grada honorifike mes të tjerash nga Universiteti i Harvardit, Oksfordit, Parisit, Torontos dhe ai i Moskës. Ai është Comandeur de la Legion d’Honeur në Francë dhe në vitin 1997 iu dha “Urdhri i Kanadasë”. Në gusht të vitit 2000 ai mori “Medaljen e Lirisë” nga Presidenti Bill Klinton. Mes veprave të tij më të famshme është një trilogji mbi ekonominë, “American Capitalism”, “The Affluent Society” dhe “The New Industrial State”.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›