E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punë vullnetare për një ditë

Bardha Nergjoni

Në një ditë si kjo të gjithë e ndiejnë veten pjesë për një qytet të të gjithëve. Hapësirat publike të qytetit të Elbasanit kanë mbledhur së bashku në mënyrë të organizuar shumë kategori përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë të cilët nuk u treguan indiferentë në ditën kushtuar qytetit.

Bashkia Elbasan kishte zgjedhur pikërisht Ditën Ndërkombëtare të Vullnetarizmit për të ndërmarrë disa aktivitete për një qytet të pastër dhe të gjelbëruar. Aktivitetet kanë nisur në Parkun Rinia ku janë pastruar mbeturinat, janë mbjellë fidanë  të rinj dhe janë lyer me gëlqere trungjet e pemëve. Kryetari i Bashkisë, Qazim Sejdini, i ndjekur nga përfaqësuesi i Korpusit të Paqes në Shqipëri kanë mbjellë një pemë duke ndjekur të gjitha nismat për mbajtjen pastër të qytetit, për të rikthyer atë që kanë pasur traditë familjet elbasanase, mbajtjen pastër të ambjenteve të përbashkëta dhe shtimin e gjelbërimit.

Aktivitetet në mënyrë vullnetare kanë nisur nga Parku Rinia, më pas është vazhduar tek Lulishtja e shatërvani Kozma Naska, shatërvanët përgjatë bulevardit, si dhe lulishtet e tjera në lagjen 28 Nëntori dhe në rrugën 11 Nëntori. Në këtë ditë përfaqësues të shoqërisë civile të organizatës Tjetër Vizion, nga personat me aftësi të kufizuar, jetimoret e qytetit, ndërmarrjet shtetërore, komuniteti rom, punonjës të administratës dhe shumë qytetarë të thjeshtë i kanë shërbyer qytetit për disa orë duke pastruar, mbjellë pemë, lyer me gëlqere dhe riparuar stola që shërbejnë për shlodhjen e qytetarëve dhe sidomos të moshuarve.

Sejdini: Elbasani të rikthejë traditën e oborreve të pastra dhe pemëve me gëlqere

Kryetari i Bashkisë, i ndjekur edhe nga drejtuesi i Vullnetarëve Amerikanë të Paqes, kanë mbjellë së bashku një pemë dhe kanë ndjekur të gjitha aktivitetet e kësaj dite model për një qytet më të pastër. Të gjithë i mbajmë mend nënat tona që pastronin rrugica e sheshet të gjithë bashkë. Sa bukur dukeshin këto ambiente kur ne fëmijët lyenim me gëlqere pemët e rrugicës apo lulishtes më të afërme. Pikërisht kjo traditë duhet rikthyer në familjet tona sërish për të pasur një ambient më të pastër dhe të gjelbëruar. Elbasani e ka traditën e pastërtisë dhe ne duhet vetëm ta rizgjojmë, tha Sejdini. Kryetari i Bashkisë falënderoi të gjithë ata që morën pjesë dhe e ndjenë veten në një ditë si vullnetarë të qytetit. Të gjithë ne sot ndjehemi më mirë pasi i kemi shërbyer qytetit. Le të bashkohemi sërish për ti bërë këto ditë në shërbim të qytetit më të shumta.

Fëmijët jetimë. një shembull vullnetarizmi

Fëmijët jetimë ishin pjesë e kësaj nisme që përfshiu edhe shumë kategori të personave me aftësi të kufizuara, komunitetin rom e të verbër. Jetimorja Shtëpia e Shpresës ndoqi shembullin e mirë të punës në komunitet. Edukatorët bashkë me fëmijët mbollën dhe më pas lyen me gëlqere pemët, mblodhën mbeturinat. Edukatorja tha se fëmijët u bashkuan me shumë dëshirë për këtë nismë. Fëmijët janë shumë të lumtur të punojnë për qytetin. Mendoj se të gjithë duhet të jenë pjesë, edhe shkollat. Edukata për të mbrojtur këtë pasuri të përbashkët, duhet të ndiqet nga një shembull i mirë i punës vullnetare në komunitet. Shpresojmë që të jemi më shumë ditët e tjera dhe të jemi të gjithë bashkë për qytetin ku jetojmë.

Qytetarët: Duhet një ditë në javë për një qytet të pastër

Rakip Osmani ishte një ndër të moshuarit që po ndiqnin me vëmendje këtë aktivitet. Ai thotë se dikur bëhej çdo të martë pastrim i përbashkët. Do të ishte mirë që një ditë në javë, ndoshta e shtuna, të vendosej për pastrimin e qytetit. Ne si të moshuar jemi gati të të ndihmojmë me nipërit e mbesat tona. Le të bëhemi të gjithë. Jo të gjitha gjërat e komunizmit ishin të këqija. Pastrimi ishte gjë e mirë dhe duhet ta  rikthejmë se e kemi parë që na kanë mbuluar plehrat dhe shumica i hedhin qeset nga dritarja, thotë Osmani.

Shoqëria Civile, pjesë e nismës

Shoqëria civile mbështeti dhe fuqizoi nismën e një qyteti më të pastër. Punonjës të shoqatave, dhe personat që janë pjesë dhe marrin shërbime sociale kanë qenë bashkë në këtë ditë. Arjan Çala, drejtor i shoqatës Tjetër Vizion thotë se iu përgjigjën thirrjes së bashkisë si qytetarë. Mjafton që ne të organizohemi dhe bëjmë punë shumë të mira. Sot ishte një demonstrim sesi të gjithë bashkë mund të kujdesemi për mjedisin ku jetojmë. Nëse kjo shtrihet në të gjitha rrugët dhe rrugica, në të gjitha sheshet dhe pjesët e pallateve, atëherë do të jetë një fitore e madhe për të gjithë. Le të punojmë për të qenë vullnetarë të ambientit ku jetojmë. Mjafton një dorë e të gjithëve që të ndihemi më mirë. Sot mbollëm disa pemë, hoqëm disa mbeturina dhe lyem disa pemë, nëse dhe nesër e në shumë ditë do të bëjmë kaq, do të kemi një të ardhme më të mirë. Duke përfshirë edhe fëmijët, ata do të edukohen miqësorë me mjedisin.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›