E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blloku, elita ish dhe rinia sot

 Xhek Preçetaj

Ish-Blloku ose ndryshe i quajtur Blloku është një zonë e njohur në Tiranë, Shqipëri. Është pjesë e lagjes Tirana e Re dhe njihet si një destinacion argëtimi dhe blerjeje, me shumë dyqane, restorante, bare, pabe dhe kafe.

Para viteve -50 në këtë zonë kishte fabrika, ndërsa gjatë sistemit komunist u bë zona rezidenciale për anëtarët e byrosë shqiptare. Me rënien e komunizmit, një zhvillim dramatik zuri vend, me shumë pallate dhe ndërtesa. Ish-Blloku konsiderohet shpesh si qendra e elitës së rinisë shqiptare.

Ky është përcaktimi që mund të lexojë çdo i huaj në Ëikipedia, në momentin që kërkon të njihet me ish-Bllokun apo që në gjuhën e përditshme e quajmë Blloku.

Ndërkohë, për secilin prej nesh, që jeton këtu, e dimë se përpara viteve 90 të duhej pasaportë dhe një leje e veçantë për të lëvizur në këtë zonë, e cila ruhej me ushtarë. Sot, nuk të duhet asgjë më shumë sesa një dorë e mirë parash që ta kesh me vete dhe një veshje pak snobe. Mirë do të ishte të jesh në moshë të re, pasi përditë e më shumë, moshat mbi të 30-at po ankohen se tashmë Blloku është i pushtuar nga adoleshentët.

Downtown

Downtown është një emër që vjen nga Amerika dhe që përdoret për të treguar qendrat, ose më mirë qendra e biznesit. Një shembull konkret është Manhatan, në Amerikë, e cila në vetvete mbart pikat më kyçe të biznesit njujorkez dhe është gjithashtu zona më e rëndësishme e kryeqytetit. Pa harruar se është edhe më e shtrenjta e Nju Jorkut. Në Tiranë, zona e vetme që do të mund të mbante titullin si një Downtown, do të ishte vetëm Blloku. Kjo për disa arsye: e para, sepse në një zonë kaq të vogël, vetëm 160 000 metër katrorë lulëzojnë rreth 610 biznese (bare, dyqane veshjesh, parfumeri etj.) Së dyti, është zona më e shtrenjtë e kryeqytetit, ku një kafe në bare kushton nga 70 lekë (të jesh me fat) deri në 250 lekë, rrobat janë më të shtrenjta nëpër dyqane (pavarësisht propagandës për ulje sezoni), një qira mujore shkon nga 350 -- 1200 euro, si dhe një shtëpi shitet me çmimin më të lartë, duke filluar nga 1300 euro/m2 deri në 2000 euro/m2. Por jo vetëm kaq, çdo produkt ushqimor, sipas banorëve të zonës, kushton gjithmonë 20-30 lekë më shumë se në zonat e tjera. E cila zonë tjetër e Tiranës do ta kishte merituar nofkën e Doëntoën-it përveçse Bllokut tonë të dashur dhe të shtrenjtë…

610 biznese

Në një zonë katrore që fillon nga Libri Universitar, vijon tek rrethrrotullimi në sheshin Uillson, zbret poshtë deri tek kryqëzimi tek ura e Drejtorisë së Policisë dhe mbaron në kryqëzimin tjetër tek ura e re e Bllokut (apo ura e Tajvanit), sipas një vëzhgimi të kryer nga gazeta, rezulton se janë të vendosur të paktën 610 biznese. Ndër to numërohen plot 81 bar-kafe, 11 lokale me muzikë (pabe), 8 fast-food, 13 restorante, 7 qebaptore dhe byrektore bashkë, 25 ushqimore, 9 farmaci, 11 parfumeri, 11 kazino, 27 lokale bastesh, 9 banka, por pa harruar dyqanet me veshje që janë më të shumtat me plot 105 të tilla. Veç këtyre, mund të përmendim edhe 283 biznese të tjera. Të tilla shifra biznesesh do ti kishte veç një qendër e madhe tregtare. Çdo ditë e më shumë mania për të hapur një biznes në bllok dhe për të punuar aty sa vjen e shtohet. Kjo si rrjedhojë e faktit që në të një pjesë e madhe e kryeqytetarëve kalojnë dhe konsumojnë orët dhe paratë e tyre.

Çudira alla-Blloku

Blloku nuk është i populluar vetëm nga dyqanet dhe bizneset, por edhe nga mijëra persona që jetojnë në të. Këta qytetarë ndoshta e kanë shumë të lehtë që në këtë zonë të gjejnë një kafene, një pikë bastesh apo një dyqan veshjesh, por jo një ushqimore të mirëfilltë. Ndryshe nga të gjitha zonat e tjera, këtu mungon një treg i mirëfilltë që shet fruta dhe perime (duke mos përmendur këtu shitjet që bëhen rrugës), mungon një pikë ushqimore me shumicë siç është në çdo zonë tjetër.

Blloku, ashtu si edhe qyteti, ka një fasadë tepër të bukur, por një brendësi pak problematike. Nëse rrugët kryesore të tij janë të rregulluara, kjo nuk ndodh në brendësi të lagjeve. Aty shumë lehtë mund të gjesh rrugë dhe trotuare të shkatërruara, balta është më e pranishme aty se në zona të tjera të Tiranës, duke mos lënë pa përmendur faktin që në disa lagje mungon ndriçimi dhe rrjetat e krijuara nga telat janë të pranishme kudo. Katet e para të banimit janë një përrallë që vetëm mund ta tregosh, por askund nuk mund të gjesh një të tillë, pasi të gjitha iu janë shitur pronarëve për të hapur lokale apo biznese të ndryshme. Pallatet e vjetra kanë filluar që edhe katet e dyta tua japin me qira bizneseve. Kush ka shtëpinë tek blloku, është i pasur, thonë ata që jetojnë jashtë kësaj zone. E megjithatë, jo gjithnjë është e vërtetë. Të paktën për ata familjarë që shtëpinë e kanë blerë prej kohësh, dhe nuk kanë zgjedhur të paguajnë qira. Ka shumë prej këtyre familjeve që jetojnë me kushte shumë të këqija. Megjithëse qëndrojnë në Bllok.

Të rinjtë e Bllokut

Janë ata që ndoshta kontribuan më shumë për ta kthyer Bllokun në një tokë të shenjtë për biznesin dhe të tjerët. Janë të shumtë të rinjtë (nxënësit dhe studentët një pjesë e madhe) që frekuentojnë çdo ditë rrugët e Bllokut. Pothuajse të gjitha pabet në të i përkushtohen atyre dhe pjesa më e madhe e lokaleve i lidhin shpresat tek ata. Ata mundet të quhen pronarët e Bllokut, pasi janë ata që i japin një emër këtij vendi. Janë ata që mundësojnë një shumëllojshmëri fytyrash dhe stilesh të veshuri çdo ditë. Janë ata që mbushin lokalet çdo ditë plot dhe janë po ata që natën e zbardhin me muzikë dhe me një zhurmë që banorët e tjerë dhe në moshë më të madhe të kësaj zone nuk e durojnë dot. Blloku tani i përket të rinjve, sepse ne pleqtë kemi parqet dhe liqenin, thotë një i moshuar.

Lokalet

Janë të shumtë në këtë zonë. Në një numërim të thjeshtë, rezultojnë plot 81. Vetëm bare. Janë nga më të ndryshmit dhe i përkushtohen shpeshherë edhe tipave të njerëzve që do ti frekuentojnë. Të mjafton të shohësh disa lokale dhe kupton menjëherë që klientela aty është pak e zgjedhur. Në lokalet e metalarëve nuk hyn ndonjë hipopist, në lokalet e motoristëve nuk fusin këmbë ata që vishen me këmishë dhe pantallona serioze. Në lokale ku serviret muzikë rrok, nuk shkon dot një adhurues i rrymës dance.Aponë një lokal shik, nuk ka si të rri një metalar. Kjo jo se ata janë të padëshiruar, por sepse vendi vetë nuk është i pëlqyer prej tyre dhe është pak veçues. Çdo ditë e më shumë lokalet në këtë zonë kanë filluar të profilizohen, kjo pasi çdo ditë e më shumë të rinjtë kanë filluar të ndryshojnë. Por ka edhe lokale për të varfrit. Për ata që nuk kanë para. Një vodka-red bull, vetëm 100 lekë. Dhe mund të pish pa frikë shumë të tilla. Cilësia e alkoolit më tej, është një çështje më vete. Rëndësi ka që mund të thuash se mbrëmë kam pirë pa fund dhe me pak shpenzime. Një risi tjetër në Bllok është hapja e një lokali me shërbim çaji Po kafja?

Jeta e natës

Ajo çka do të ishte edhe krenaria e Bllokut është pikërisht jeta e natës. Me qindra e mijëra të rinj që mbushin plot rrugët e saj çdo të premte dhe të shtunën në darkë. Këto dy ditë janë edhe ditët e bekuara për të rinjtë, sidomos në dimër, ndërkohë që vera i zhvendos fundjavat jashtë Tiranës dhe ditët më të preferuara për lokalet kthehen të mërkurat e të enjtet. Këtu mund të gjesh gjithçka: djem të veshur si vajza, vajza të veshura si djem, vajza në majë të takave që mezi ecin, me funde të shkurtra që mezi mbulojnë apo të gjysmë të zhveshura. E fundja, jashtë paragjykimeve, kjo është ajo që ndodh në çdo kryeqytet të botës.

Tirana ta

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›