E Diel, 1 Nëntor 2026

“Punësimi, Brukseli vërtetoi mashtrimet e opozitës - Shqipëria i vetmi vend i rajonit që pati rritje ekonomike”

19-04-2013 / Gazeta 55

Mbledhja e Qeverisë/ Berisha premton se në vitin 2014 nis kthesa për uljen graduale të borxhit publik

“Në sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rriten me 1,8 për qind në tremujorin e fundit të 2012 dhe me 6.5 për qind si rritje vjetore”

“Në tërësi punësimi në vend u rrit me 0.5 për qind. Kjo është përgjigja që i jep KE matematikës së Kosta Bajrabës të Edi Ramës”. Kështu u shpreh dje në mbledhjen e qeverisë kryeministri Sali Berisha, duke akuzuar kreun socialist se ka gënjyer me shifrat e Ekonomisë. Raporti i cili bazohet në të dhënat dhe statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare, paraqet një tablo të zhvillimit ekonomik të vendeve të rajonit tonë dhe më gjerë. Kryeministri theksoi se Komisioni Evropian hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen çdo ditë, nga opozita, lidhur me shifrat e papunësisë, duke harruar se sot çdo tregues i tregut dhe i ekonomisë është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar.
Duke iu referuar shifrave për tremujorin e parë të vitit 2013, si dhe në disa tregues, atyre vjetore për vitin 2012, kryeministri Berisha bëri të ditur se Shqipëria, përkrah vendeve si Turqia e Islanda shënon rritje ekonomike si dhe rritje të punësimit, duke iu kundërpërgjigjur në këtë mënyrë pretendimeve të opozitës, lidhur me rritjen e papunësisë në vend. “Siç e dini çështja e parë, e dytë dhe e tretë gjithnjë është ekonomia dhe Komisioni Evropian ka botuar raportin për ekonominë e rajonit për tremujorin e parë dhe paraqet këtu, bazuar në të gjitha të dhënat dhe statistikat kombëtare dhe ndërkombëtare tablonë e qartë për rajonin tonë dhe më gjerë. Në përgjithësi, për sa i takon rritjes ekonomike, thuhet në raport, pati ulje të rritjes në vendet me rritje pozitive dhe mbeti negative, në vendet si Kroacia, Serbia dhe Mali i Zi. Karakteristikë  e ekonomive me rritje pozitive ishte ulja e ritmeve të rritjes në Turqi dhe Islandë 1,4 për qind, ndërsa në Shqipëri thotë 1.7 për qind, pra rritja pozitive e Shqipërisë ishte 1,7 për qind, kurse Maqedonia, Serbia, mali i Zi, Kroacia patën tkurrje, rënie prej -2 për qind. Së bashku me rritjen pozitive në Turqi, Islandë dhe Shqipëri, në këto tre vende edhe tregu i punës pati përmirësime dhe ishte i stabilizuar. Në Islandë dhe Turqi pati një ulje të lehtë. Ndërsa në Shqipëri mbeti i stabilizuar. Në vende të tjera papunësia u rrit ndjeshëm si në Kroaci, 15.9 për qind dhe në Serbi 23.9 për qind. Shqipëria, thotë raporti, pati një ulje të llogarisë rrjedhëse nga minus 13.3 që ishte, zbriti në minus 10.5. Inflacioni në Shqipëri, ishte më i ulët në vitin 2012 (se këto janë të dhënë ta vitit 2012) sesa në vitin 2011. Këta që bëjnë fjalë për inflacion kësaj here ka qenë një zhvillim tjetër pozitiv i ekonomisë shqiptare. Shqipëria, pati një zgjerim të industrisë me 7.8 për qind, në sektorin nxjerrës një rritje prej 29.7 për qind. Llogaria rrjedhëse e saj u përmirësua me eksportet. Pati rënie të qartë në ndërtim për shkak të ligjit, i cili për fat të keq bllokoi për një kohë të gjatë ndërtimin e banesave. Kushtet e tregut të punës qenë të pandryshuara, thotë raporti, dhe punësimi u rrit me 0.5 për qind. Ja pra, përgjigja që i jep Komisioni Evropian matematikës të Kosta Barjabës dhe Edi Ramës. Kjo është përgjigja, punësimi në Shqipëri u rrit me 0,5 për qind. Të mos harrojmë se 1 për qind e tregut të punës  në Shqipëri është një numër i konsiderueshëm. Vendet e punës në Shqipëri, thotë, në sektorin publik nuk ndryshuan. Nuk e kemi sipërmarrje administratën,  ne i qëndrojmë serioz vendimit që kemi marrë, nuk ka ndryshuar. Ndërsa në sektorin privat jobujqësor vendet e punës u rriten me 1,8 për qind në tremujorin e fundit të 2012 dhe me 6.5 për qind si rritje vjetore. Kjo përbën në zhvillim jashtëzakonisht pozitiv, relativ, në kuptimin e asaj që të tjerëve u dyfishohet papunësia, ndërsa në Shqipëri rritet punësimi në sektorin privat jobujqësor. Kjo ka një rëndësi të jashtëzakonshme. Kjo do të thotë se ky nivel rritje që kemi ne shoqërohet me një nivel shumë më i lartë punësimi. Kjo do të thotë se tregu i punës në Shqipëri e bën të mundur këtë. Zakonisht nuk është ky proporcion, rritje ekonomike/punësim, janë shumë të afërta përqindja e rritjes ekonomike me përqindjen e rritjes punësimit, ndërsa këtu kemi një disproporcion prej rreth 2 për qind rritje ne kemi trefishin e rritjes së punësimit dhe kjo përbën një tregues jashtëzakonisht të rëndësishëm për vendin tonë. Pra, papunësia mbetet një problem të cilin ne po e trajtojmë më me seriozitet se çdo çështje tjetër. Por Komisioni Evropian hedh poshtë të gjitha mashtrimet dhe gënjeshtrat që shpërndahen çdo ditë lidhur me shifrat e papunësisë, duke harruar se sot çdo tregues i tregut dhe i ekonomisë është sa kombëtar aq edhe ndërkombëtar. Ky raport është i para pak ditëve, por ne jemi përpjekur tu themi shqiptarëve të vërtetën. Ne nuk pretendojmë për një të vërtetë rozë, por pretendojmë se reformat tona kanë mbrojtur vendin nga një krizë që po rrënon ekonomitë përreth. Ndaj dhe ne vendosëm paketën e dytë të reformave shumë të rëndësishme, të cilat do të japin efektin e pritshëm nga më së shpejti, tremujorin e 4-t të këtij viti, kurse më të ndjeshëm vitin e ardhshëm. Nuk e japin tani”, u shpreh Kryeministri.
Duke u ndalur në sektorë të veçantë, me shifrat përkatëse, kryeministri vlerësoi se megjithëse mbetet ende një punë e madhe për të bërë, reformat e implementuara e kanë mbrojtur vendin kriza që po rrënon ekonomitë përreth. “Ndaj dhe ne vendosëm paketën e dytë të reformave shumë të rëndësishme, të cilat do të japin efektin e pritshëm nga më së shpejti, tremujorin e 4-t të këtij viti, kurse më të ndjeshëm vitin e ardhshëm”, tha në këtë kontekst kryeministri.
Në 2014-n nis kthesa për uljen graduale të borxhit publik, u shpreh më tej Kryeministri Sali Berisha. “Dy muajt e parë të vitit 2013, thotë, të ardhurat u rritën me 0.8 për qind, e vërteta është që tre muajt  e parë të ardhurat janë rritur me mbi 3.5 për qind. Pra në qoftë se trendi i 2012 ishte ulja, trendi i 2013 është rritja e qartë. Borxhi publik arriti në 61.5 për qind, borxh të cilin qeveria për këtë vit e ka parashikuar tek 62.6 për qind dhe pas këtij viti fillon kthesa. Borxhi publik në mënyrë graduale do të zbritet. Ky është zotimi ynë solemn, sepse ato qëllime që ne kishim me borxhin po shkojnë drejt realizmit dhe projekti ynë përballohet edhe duke ulur borxhin tani”, tha Kryeministri.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›