E Diel, 1 Nëntor 2026

Punësimi në Itali, kurse gjuhësore dhe profesionale për emigrantët

Tiranë- Në sajë të bashkëpunimit mes shtetit shqiptar dhe atij italian të gjithë emigrantët shqiptarë që duan të mos kenë probleme me dokumentat në Itali, mund të plotësojnë disa formularë pranë Ministrisë së Punës, për  të përfituar disa lehtësira në vendin fqinj.

Ministri i Punës, Spiro Ksera ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e Italisë në Tiranë,  Massimo Gaiani, dhe në sajë të bashkëpunimit do të zbatohet një projekt ku parashikohen kurse falas për formimin gjuhësor dhe profesional, që kanë si qëllim punësimin në Itali të të paktën 50% të pjesëmarrësve në kurse, në sektorë të ndryshëm.

Gjatë një konference për shtyp, ministri Ksera deklaroi se kjo marrëveshje ndihmon në bashkëpunimin mes dy vendeve dhe ndihmon shqiptarët të lëvizin lirshëm.

Bashkëpunimi midis dy Qeverive tona, veçanërisht ndërmjet dy ministrive respektive, në fushën e migracionit dhe punës, ka arritur në një nivel të ri i cili i përgjigjet dëshirës dhe ndjenjave respektive të popujve tanë për bashkëpunim, miqësi e fqinjësi të mirë, por edhe për ndihmë dhe zgjerim të mundësive të qytetarëve shqiptarë për të lëvizur midis dy brigjeve të Adriatikut, si qytetarë e punëtorë të lirë, me njohuritë, shprehitë dhe standartet që kërkon tregu italian dhe tregjet evropiane të punës e të shërbimeve,- tha ai.

Ambasadori Massimo Gaiani vlerësoi kontributin e rreth 500 mijë shqiptarëve të ligjshëm që jetojnë e punojnë në Itali, 250 mijë të të cilëve tashmë janë integruar plotësisht në tregun italian të punës.

Të interesuarit do të mund ti drejtohen Sporteleve të Migracionit pranë Drejtorive Rajonale të Shërbimit Kombëtar të Punësimit (Zyrave të Punës) në qendrat e banimit, për të paraqitur kandidaturën e tyre sipas modaliteteve të parashikuara dhe për të regjistruar profilin e tyre në listat e disponueshmërisë. Informacioni mbi procesin e regjistrimit gjendet në faqen e internetit www.mpcs.gov.al (tek menu MIGRACIONI, ku do të interesuarit mund të shkarkojnë edhe formularin e aplikimit).

Regjistrimi pranë Sporteleve të Migracionit, në Zyrat e Punës së Tiranës, Durrësit, Fierit, Vlorës, Beratit, Gjirokastrës, Elbasanit, Korçës, Lezhës, Shkodrës, Kukësit dhe Peshkopisë do të kryhet nga data 27 mars deri në 10 prill 2012.

Kliti Topalli/ IDEA

No related posts.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›