E Shtunë, 31 Tetor 2026

Plazhe të Sigurta, për një muaj hiqen 40 ton predha në Vlorë

 

Çmontimi, nga specialistë vendas, në pikën Shën Vasi. Predhat, mbetje nga Lufta e Dytë Botërore. Gjithsej 11 pika të infektuara

Vlorë-Ujërat e Vlorës pas pak kohe nuk do të kenë më asnjë rrezik për turistët. Sasia e madhe e predhave që gjenden nën ujë, mbetur që nga Lufta e Dytë Botërore do të largohet para nisjes së sezonit turistik, në kuadër të operacionit të koduar “Plazhe të Sigurta”. Operacioni, sipas specialistëve, përfshin identifikimin dhe pastrimin e rajonit të infektuar me predha të artilerisë në gjirin e Vlorës. Faza e parë është pastrimi i zonës në Ujin e Ftohtë, pranë Kalasë në Vlorë. “Është një operacion i vështirë dhe i rrezikshëm, pasi do të punohet gjatë nën ujë dhe me një lloj municioni, i cili shpesh ka një shkallë rrezikshmërie të ndjeshme”,- thonë specialistët e angazhuar në këtë operacion.

***

Inspektimi i detajuar i zonës ka nxjerrë në pah ekzistencën e rreth 40 ton predhash luftarake, që i përkasin mbetjeve të Luftës së Dytë Botërore. Shifra është bërë dje publike nga vetë ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, gjatë një vizite në komandën e distriktit të Dytë Detar si dhe në vëzhgimin nga afër të punës për operacionin e sapo nisur. Sipas tij, predhat nën ujë do të hiqen në një hark kohor prej 30 ditësh, duke përpunuar kështu rreth 1.5-2 ton materiale në ditë. “Operacioni përfshin evidentimin, heqjen dhe çmontimin e predhave luftarake, me qëllim që Gjiri i Vlorës të jetë tërësisht i mbrojtur nga rreziku i predhave”,- tha ai, duke sqaruar se në një fazë të dytë të operacionit do të vijojë puna edhe në zonat e tjera, si në afërsi të Karaburunit, dhe anija spitaliera në gji, të cilat kanë sasi të konsiderueshme predhash përqark. Kryetari i bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika, i pranishëm në këtë vizitë e ka cilësuar operacionin një veprim mjaft pozitiv. “Është një angazhim serioz. U mor menjëherë në konsideratë kërkesa e bashkisë së Vlorës për pastrimin e zonës së plazhit të Ujit të Ftohtë dhe gjirit të Vlorës në tërësi nga minat dhe predhat”,- tha Gjika, duke ofruar gatishmërinë për njerëz dhe logjistikë.

***

Operacioni do të drejtohet nga komandanti i bazës së Pashalimanit, kapiteni Artur Meçollari. Në ndihmë të veprimeve që do të kryhen do të jenë mjete të bazës, anije si dhe mjete tokësore. Sipas të dhënave, municionet në Ujin e Ftohtë janë nën një thellësi rreth 7 metra. “Ato janë të përhapura në një sipërfaqe prej 200 metër katror, ku do të përqendrohen edhe puna e çminimit të zonës. Në ditë parashikohet që të hiqet deri në një sasi prej 1.5 ton”,- thonë specialistët, duke saktësuar se predhat që ndodhen nën ujë janë nga 30 deri në 122 mm. Ato janë vendosur aty që prej Luftës së Dytë Botërore e më pas. Sasia që do të nxirret nga uji do të dërgohet në pikën Shën Vasi, pikë ku janë kryer shpërthimet edhe për municionet që u hoqën nga zona e Karaburunit (projekti i zbatuar amerikan). Sipas planifikimit, do të operohet sipas sasive të hequra në ditë, ku ato që do të nxirren nga thellësitë nënujore do të shpërthehen brenda ditës, në mënyrë që ditën tjetër, sasia që nxirret të mos gjejë mbetje të ditëve të kaluara. Të gjitha shpërthimet do të kryhen nga specialistët vendas, të cilët ishin pjesë edhe e projektit të një viti më parë, në zonën e Karaburunit. Mësohet se janë rreth 11 pika të tilla të infektuara, që kanë sasi municioni, për të cilat nuk bëhen me dije detaje, veç faktit që ato variojnë deri në thellësi prej 20 deri në 25 metër. Një gjë është premtuar me siguri. Këtë sezon, së paku pika ku nisi operacioni do të jetë e pastër për pushuesit.

Faza përgatitore

Faza përgatitore për fillimin e operacionit përmban kryesisht përgatitjen e mjeteve dhe personelit që do të marrin pjesë në këtë operacion. Komandantët e të gjitha reparteve pjesëmarrëse tashmë i kanë marrë të gjitha masat për planifikimin, trajnimin e personelit si dhe kompletimin e të gjithë bazës materiale të nevojshme. Operacioni do të kryhet nga dy grupe polumbare për të përcaktuar fillimisht llojin e municionit dhe shkallën e rrezikshmërisë së tyre. Në këtë operacion do të angazhohen mjetet dhe personeli i Flotiljeve Detare, shërbimit Hidrografik, Batalionit të mbështetjes Logjistike, Policia Ushtarake e degës Vlorë dhe Njësia e Municioneve dhe Eksplozivëve. Ky operacion do të drejtohet nga një strukturë e veçantë në formën e Task Grup në bazë të një plani operacional të miratuar. Ndërkohë janë marrë të gjitha masat dhe janë përgatitur elementet në bashkëpunim edhe me Pushtetin Vendor e qendror të Vlorës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›