E Diel, 1 Nëntor 2026

Punëtorët e ARMO-s kanë tre muaj pa marrë pagat, kërcënojnë me protestë

Naftëtarët e Ballshit kërcënojnë kompaninë ARMO se do të hidhen në aksione konkrete, nëse deri më 31 gusht nuk marrin pagat e bllokuara, raporton gazeta IDEA.

Naftëtarët i kanë dhënë një ultimatum kompanisë së administruar nga z.Rezart Taçi, por pa përcaktuar se çfarë do të bëjnë konkretisht pas kësaj date.

Kërcënimet e naftëtarëve për të ndërmarrë veprime konkrete ndaj administratorëve që, sipas tyre, kanë muaj pa i paguar, vijnë pas një serie denoncimesh që ata kanë bërë përmes rrjeteve sociale dhe në platformën denoncuese IDEA.

Ndërkaq në denoncimin e fundit që dërgojnë në adresë të gazetës sonë, ata shprehen se i janë drejtuar për ndihmë edhe Avokatit të Popullit, të cilit i kanë kërkuar që të zbresë në bazë për të parë nga afër gjenden e naftëtarëve. Por sikurse shprehen ata, zyra e Avokatit të Popullit u ka kërkuar që ata të paraqiten në zyrat e këtij institucioni për të depozituar ankesat.

Reagimi i punëtorëve ka ardhur ndërkohë që kriza në kompaninë ARMO po thellohet më tej. Një ditë më parë Gjykata e Tiranës ka vendosur sekuestron mbi aksionet e administratorit të ARMO-s, biznesmenit të naftës Rezart Taçit, për shkak të një borxhi të papaguar prej 75 milionë eurosh që kompania i ka Bankës Ndërkombëtare të Azerbajxhanit, për investimet që kjo e fundit ka vërtetuar se ka kryer në Shqipëri.

Sekuestroja i është vendosur 85% të aksioneve të shoqërisë ARMO, në pronësi të AMRA Oil, llogaritë bankare të këtyre dy kompanive dhe është vendosur bllokimi i pasurive të paluajtshme të ARMO-s, stokut të kompanisë deri në përfundim të gjykimit.

Banka azere i kishte depozituar 75 milionë eurot në bankën Credins në formën e një garancie për blerjen e kompanisë ARMO nga Rezart Taçi, por ky i fundi i ka tërhequr ato pikërisht për të paguar faturën e blerjes dhe nuk ia ka kthyer paratë bankës së Azerbajxhanit. Kjo bankë i është drejtuar Gjykatës së Tiranës e cila i ka dhënë të drejtë dhe ka vendosur sekuestron konservative nga 85% të aksioneve të Taçit në kompaninë ARMO.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›