Punëtorët e KEK-ut sërish protestojnë për pagat

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës pritet të protestojnë për ngritje të pagave, më datën 13, 14 dhe 15 shkurt. Ata do të protestojnë pranë vendit të tyre të punës, raporton sot “Koha Ditore”.
Protestat do të zgjasin nga një orë, kurse për të protestuar janë të thirrur vetëm punëtorët të cilët nuk janë të lidhur direkt me prodhimin. Ky është vendimi i Kryesisë ekzekutive të Sindikatës së Pavarur Energjetike si reagim ndaj mungesës së një përgjigjeje të menaxhmentit të KEK-u në kërkesat e tyre për ngritje të pagave.
Këto protesta po bëhen në muajin kur Zyra e Rregullatorit pritet të vendosë për të hyrat maksimale të lejuara për KEK-un, në të cilën bën pjesë edhe fondi për pagat. Është kërkesë e SPEK-ut që ky fond të rritet për 30 për qind.
Kryetari i SPEK-ut, Izet Mustafa, ka thënë se kjo protestë vjen pas heshtjes se menaxhmentit të KEK-ut karshi kërkesave të punëtorëve për rritje të pagave. Ai ka thënë se punëtorët e KEK-ut nuk kanë pasur rritje të pagave tash e disa vjet.
Në rast se kjo protestë e butë nuk zgjon interesin e menaxhmentit, Mustafa ka paralajmëruar hapa të tjerë sindikalë.
“Kjo nuk është grevë, por vetëm protestë që nuk do të ndalë punën. Pas saj do të mblidhet Këshilli ekzekutiv i Sindikatës për të analizuar situatën dhe të marrë vendime përkitazi me rezultatet që do t’i ketë kjo protestë”, ka thënë Mustafa.
SPEK-u më parë i kishte dërguar një letër menaxhmentit të KEK-ut, me anë të së cilës kërkohej rritja e fondit të pagave për 30 për qind.
Buxheti i vitit 2012 ka qenë 46 milionë euro. Kjo rritje e propozuar nga SPEK-u ka një rritje të buxhetit prej 13 milionë e 800 mijë eurosh, që sipas SPEK-ut duhet të ndahen në mes të punëtorëve në mënyrë lineare./Indeksonline/