E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punëtorët protestojnë kundër keqmenaxhimit dhe korrupsionit në KEK

Punëtorët e Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për një orë kanë protestuar para ndërtesës kryesore së KEK-ut në Prishtinë, në shenjë revolte ndaj keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mos aplikimit të ligjit, kurse kanë paralajmëruar protesta të përditshme nga ora 12.00 deri në ora 13.00, ndërsa kanë adresuar disa kërkesa në Bordin e KEK-ut, menaxhment dhe në Qeverinë e Kosovës.

Protesta është mbajtur të hënën, e organizuar nga Sindikatës së Pavarur Elektrokosova (SPE) dhe ka filluar nga ora 08.00 dhe ka përfunduar në ora 09.00.

Llazër Krasniqi, kryetar i Sindikatës së Pavarur Elektrokosova (SPE), tha se deri te kjo situatë ka ardhur si pasojë e keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mos aplikimit të ligjit, dhe se me këto protesta nëse nuk vihet deri te realizimi i kërkesave të punëtorëve të KEK-ut, atëherë do të ketë edhe greva.

“Për shkak të keqmenaxhimit, korrupsionit dhe mos aplikimit të ligjit, pas dështimit të bisedave me menaxhemntin për moslargimin e punëtorëve nga puna, pas dështimit të bisedës më menaxhmentin për aplikimin e ligjit, sindikata e pavarur ka qenë e detyruar të fillojë protestat e punëtorëve nga dita e sotit, e do të vazhdojë deri më 31 të 12-tit, çdo ditë, prej nesrit nga ora dhymbëdhjet deri në një, kurse nëse nuk realizohen kërkesat, pas vitit të ri do të bëjmë protesta ditore dhe greva”, tha Krasniqi.

Gjatë kësaj proteste, sekretari i SPE-së, Naser Gashi ka paraqitur një varg kërkesash drejtuar Bordit të drejtorëve të KEK-ut, drejtorit menaxhues të KEK-ut dhe Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar nga të gjithë këto organe që t’i realizojnë kërkesat, në të kundërtën ai paralajmëroi se protestat do të vazhdojnë edhe gjatë vitit të ardhshëm.

Pas përfundimit të protestës, e cila zgjati nga ora 08.00 deri në ora 09.00, protestuesit i dorëzuan kërkesat e tyre te menaxhmenti i distriktit të KEK-ut, te menaxheri i përgjithshëm i KEK-ut, Arben Xhuka, në Qeverinë e Kosovës dhe në Bordin e drejtorëve. /kosovapress/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›