Ndihma e OBSH-së me Tamiflu, arrin në Kosovë

Në kuadër të ndihmës së Organizatës Botërore e Shëndetësisë që po i jep Kosovës në ballafaqimin me pandeminë e Gripit të ri pandemik A H1N1, një ditë më parë në Kosovë kanë arritur 10120 pako Tamiflu.
Kryesuesi i zyrës së OBSH-së në Prishtinë, Skënder Syla tha se 20 pakot me Tamfilu kanë arritur rreth orës 17 të së dielës, ndërsa 3 pako tjera pritet që të vijnë sot.
“Me rëndësi është se në Kosovë kemi rezerva të mjaftueshme të medikamentit Tamiflu. Tashmë pakot e ardhur do të dërgohen në qendrat mjekësore, aty ku shfaqet nevoja për këtë ilaç”, tha Syla për Express.
Ndërsa zyrtarët e Ministrisë së Shëndetësisë thonë se i kanë bërë përgatitjet logjistike për pranimin e këtij donacioni dhe barnat të cilat janë marrë janë dërguar në depon e MSh-së dhe pastaj do t’u distribuohet sipas nevojave të qendrave spitalore të Kosovës.
“Këto ilaçe në formën kapsulave, të cilat kanë vlerë prej 155. 342 dollarëve amerikanë, me krejt dokumentacionin përcjellës janë shumë të mirëseardhura për Kosovën, për ta ndihmuar furnizimin e qëndrueshëm me antiviralë kundër A H1N1”, tha zëdhënësi i MSH-së, Faik Hoti.
Ministria e Shëndetësisë kishte siguruar më parë edhe 27500 njësi të tjera të këtij ilaçi, ndërsa donacioni i ardhur të dielën ka afat të përdorimit deri në tetor të vitit 2013.
Në anën tjetër, zyrtarët e MSH-së konfirmojnë se nga 20 rastet e dyshuara të jenë prekur nga gripi i derrave e që janë paraqitur gjatë ditë të fundjavës, 12 prej tyre ka rezultuar pozitive.
Bëhet e ditur se për momentin në Qendrën Klinike Universitare janë të shtrirë 25 pacientë të prekur nga ky grip, ku dy prej tyre për shkak të gjendjes shëndetësore më të rëndë, janë nën kujdes intensiv.
Deri më tani në Kosovë ka pasur 856 raste të dyshuara më këtë grip, 277 raste të konfirmuara. Po ashtu të infektuar me virusin A H1N1 thuhet se ka pasur gjithsej 54 nxënës, 44 prej tyre nga shkollat fillore dhe 10 nga shkollat e mesme të vendit.
Ekspertët shëndetësorë paralajmërojnë që muaji janar do të jetë muaji ku do të rritet në masë më të gjerë gripi i derrave dhe se për këtë ata kërkojnë nga qytetarët kujdes të shtuar në higjienë dhe ushqim.