Punime intensive në aksin Elbasan-Qafë Thanë, vijon ndërtimi i urave, tunelit dhe trasesë rrugore

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Punimet në segmentin rrugor Elbasan–Qafë Thanë, pjesë e Korridorit VIII, po vijojnë me ritme të mira, ndërsa puna është përqendruar njëkohësisht në disa fronte për të përshpejtuar realizimin e projektit.
Sipas Autoriteti Rrugor Shqiptar, aktualisht po vijon ndërtimi i dy urave në Lotin 4, formimi i trasesë së rrugës, ndërtimi dhe mbushja e saj, si dhe realizimi i veprave të mbrojtjes lumore.
Paralelisht, po kryhet betonimi i tunelit në Mirakë, ndërsa në këtë zonë vijon edhe ndërtimi i një mbikalimi këmbësor, vepra që synojnë rritjen e sigurisë për banorët dhe përdoruesit e rrugës.
Segmenti Elbasan–Qafë Thanë është pjesë e Korridorit VIII, një prej projekteve strategjike të infrastrukturës rrugore në vend, i cili do të përmirësojë lidhjen me kufirin lindor të Shqipërisë dhe rrjetin rajonal të transportit.
Sipas ARRSH-së, përfundimi i investimit pritet të rrisë sigurinë rrugore, të përmirësojë standardet e lëvizjes dhe të shkurtojë kohën e udhëtimit për qytetarët dhe bizneset, duke lehtësuar qarkullimin e njerëzve dhe mallrave përgjatë këtij aksi të rëndësishëm.
/e.xh/r.e/a.f/