Punimet në Tiranë, Bashkia: Skemë e re qarkullimi

Devijohet përsëri trafiku në kryeqytet, ndërkohë Bashkia e Tiranës ka bërë publike një tjetër skemë qarkullimi për automjetet në Tiranë. Në një deklaratë për mediat drejtoresha e transportit pranë Bashkisë, Nerejda Hoxha ka bërë të ditur se në sheshin "Italia" do të ndërpritet qarkullimi për shkak të punimeve dhe do të realizohet pas stadiumit Qemal Stafa, me dy sense.
Ndalimi i qarkullimit në këtë shesh u vendos për shkak të fillimit të punimeve për ndërtimin e parkingut nëntokësor. Ky parking do të jetë me katër nivele dhe do të ketë një kapacitet prej 1 mijë automjetesh. Ky investim që kap vlerën e 1.6 miliard lekëve pritet të përfundojë brenda një viti.