E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punuesi i filigranit në Venedik

U inaugurua Pavijoni i Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik. Kosova për herë të parë po merr pjesë në këtë eveniment të rëndësishëm të fushës së arkitekturës, me projektin ‘Punuesi i filigranit’, të kuruar nga arkitekti Përparim Rama.

Për herë të parë Kosova është e pranishme në Bienalen e Arkitekturës në Venedik. Me inaugurimin e Pavijonit të Kosovës në këtë bienale, që u bë të hënën, Kosova u bashkohet më shumë se pesëdhjetë shteteve që janë të pranishme në njërin prej aktiviteteve arkitekturore më të mëdha dhe më të rëndësishme në botë.

Duke e hapur pavijonin e Kosovës, arkitekti dhe njëherësh komisioneri i projektit, Bekim Ramku, e falënderoi kuratorin Përparim Rama për konceptin e pavijonit si dhe të gjithë njerëzit që e bënë të mundur këtë pjesëmarrje. Ndërkaq, i pranishëm në ceremoni ishte edhe ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, i cili theksoi se pjesëmarrja e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës paraqet një mundësi të jashtëzakonshme për Kosovën të tregojë potencialin e saj.

“Është jashtëzakonisht e rëndësishme që Kosova më në fund po prezantohet në Bienalen e Arkitekturës të Venedikut, i cili është evenimenti më i madh global i kësaj fushe. Më vjen mirë që puna e cila është bërë nga komisioneri Bekim Ramku dhe kuratori Përparim Rama ka rezultuar shumë e suksesshme dhe mendoj që si pavijon do të jetë i veçantë krahasuar me shumë shtete tjera pjesëmarrëse që janë prezantuar shumë herë tjera në Venedik. Kosova si një vend i ri ka një histori të pasur dhe trashëgimi kulturore dhe çka është më me rëndësi, ka një potencial të madh që shpresoj do të kemi mundësinë ta promovojmë në botë duke përkrahur mendjet kreative”, tha ai.

Arkitekti dhe kuratori i projektit, Përparim Rama, e mori fjalën pas ministrit Krasniqi dhe foli për konceptin e projektit.

“Unë jam shumë krenar që jam kuratori i parë i pavijonit të Kosovës dhe mendoj që kemi pasur një grup të mrekullueshëm dhe kemi bërë një punë të mire të cilën po e prezantojmë sot këtu. Jemi munduar të tregojmë që arkitektura ka një impakt emocional te njerëzit dhe si arkitektë duhet të jemi të përgjegjshëm për këtë fakt. Ne po i ftojmë të gjithë vizitorët të votojnë dhe tregojnë emocionet e tyre në lidhje me ndërtesat dhe impaktin që ka arkitektura te ata. Në këtë mënyrë, ne po e krijojmë një platformë demokratike për arkitekturën, një platformë për diskutim jo vetëm mes arkitektëve por edhe njerëzve të cilët jetojnë në këto ndërtesa”, tha Rama

Poashtu, në inaugurim ishte edhe Ambasadorja e Kosovës në Itali, Bukurie Gjonbalaj, e cila tha: “Kjo është një ditë shumë me rëndësi për Kosovën dhe më vjen mirë që koncepti i këtij pavijoni po i tërheq vëmendjen vizitorëve dhe që ne po prezantojmë konceptin e arkitekturës kosovare në shërbim të njeriut”.

‘Punuesi i filigranit’ fton të gjithë vizitorët të filtrojnë imazhet nga arkitektura e Kosovës në gjashtë emocione: lumturi, trishtim, ngazëllim, liri, zemërim dhe ngulfatje.

Përgjigjet e njerëzve lidhen me një tel të filigranit dhe ato vazhdimisht e ndërrojnë strukturën e pavijonit. Në këtë mënyrë, projektohen ide rreth të ardhmes së arkitekturës të Kosovës, të gjeneruar nga ndërlidhshmëritë emocionale që kanë njerëzit në lidhje me ndërtesat në vend. Të gjithë mund të votojnë deri më datën 25 nëntor në webfaqen kosovoinvenice.org. Bienalja e Venedikut këtë vit shënon edicionin e saj të 13-të dhe do të jetë e hapur për publik deri në datën 25 nëntor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›