Stresi paraprak i martesave
Nga Anxhela Peza*
Një nga ditët më të rëndësishme të jetës, që mbahet mend dhe rikujtohet gjithmonë është dita e dasmës. Kulmi i bukurisë i nuses dhe dhëndrit, qershia e lumturisë, kurorëzimi i dashurisë në vazhdimësi. Muaji gusht dhe muaji shtator janë cilësuar gjithnjë si muajt e martesave. Ku na ndodh të shikojmë se kërkesat e çifteve janë të mëdha në çdo aspekt, vetëm për atë ditë. Rendin gjithë kohës për të mbajtur trupin në formë ,me vrap palestra dhe dieta. Vendi, arredimi, njerëzit e ftuar, fustani, kostumi e deri tek aksesorët më të detajuara duhet të jenë plotësisht perfekte. Një muaj përpara ditës së dasmës vihet re stresi, fustrimi, tensioni, stërlodhje, orë të pakta gjumi. Mundimi i tepruar shpeshherë bën që ditën e dasmës të ndiheni krejtësisht të lodhur dhe të pafuqishëm. Në fakt është shumë e rëndësishme që ti vendosni objektivat siç duhet dhe me oraret përkatëse të takimeve, fotove, rregullimit të flokëve etj. Nëse çdo gjë është e vendosur siç duhet, atëherë nuk ka pse të ketë të papritura apo vonesa. Mund të themi se jo të gjithë të afërmit dhe miqtë tuaj mund të jenë një suport i mirë gjatë përgatitjes së ceremonisë. Disave mund të mos i pëlqejnë shumë evente të tilla, apo disa nuk kanë informacion dhe më shumë të ngatërrojnë sesa të informojnë. Mos flasim për ata që nuk kanë qejf personin që keni zgjedhur për tu martuar. Për të evituar strese të tjera, është mirë që të qëndroni me ato persona që ju bëjnë të ndiheni mirë dhe ju mbështesin në vendimet tuaja. Lërini mënjanë zakonet se kush do ju qëndrojë pranë para ditëve të dasmës.
Nganjëherë njerëzit mbyten me perfeksionizmin e tyre apo të gjërave që kërkojnë të tilla. Ndaj jo çdo gjë është e tillë, ndodhin dhe situata që nuk ishin parashikuar. Situatat spontane dhe të qenit i natyrshëm e bëjnë më të bukur festën, ndaj dhe mendimi i vazhdueshëm i perfektes iu frustron gjithë kohës. Jini të përgatitur për spontanitetin tuaj dhe të tjerëve, le të ndodhë më e mira. Për të lënë veçmas këto streset negative, përqendrohuni më shumë dhe tek përditshmëria juaj bisedat me miqtë, shëtitjet buzë detit, meditimet, jogat, dëgjimin e muzikës suaj relaksuese, të hani shëndetshëm dhe të flini mjaftueshëm kjo e fundit mëse e rëndësishme. Pasi një gjumë i rehatshëm dhe i mjaftueshëm do tju ndihmojë të jeni të relaksuar dhe përqendruar gjatë ceremonisë së dasmës. Duke lënë mënjanë stresin negativ, ju uroj të ndjeni me shumë atë pozitiv, si emocionet e pafundme, surprizat, dhuratat, dashuria unazës të gjitha këto janë tuajat shijoni pafund atë ditë për ta bërë të paharrueshme. Vetëm ju mund ta bëni të tillë. Jetë të lumtur!
*Psikologe Këshillimi