E Diel, 1 Nëntor 2026

Pushimet, emigrantët nisin të rikthehen në vendlindje, mbipopullohen portet

Muaji korrik sapo ka nisur dhe ashtu sikurse çdo vit, emigrantët shqiptarë fillojnë të rikthehen në qytetet e tyre të lindjes. Në pikën kufitare të Kapshticës numri i emigrantëve që kthen për pushime është rritur, ndërkohë që autoritetet kanë vënë të punë 5 sportele.
Burime nga kjo pikë kufitare bëjnë të ditur se vetëm gjatë paradites së sotme kanë kaluar kufirin mbi 700 persona dhe 280 automjete, por momentalisht nuk bëhet fjalë për fluks.
Ditët e fundit të korrikut pritet të shtojnë fluksin në dogana, ndërsa paraprakisht autoritetet në pikën kufitare të Kapshticës paralajmërojnë se gjatë asaj periudhe numri i sporteleve do të arrijë në 11. Ndwrkaq, Porti i Durrësit ka pritur paraditen e djeshme mbi 3 500 udhëtarë me rreth 800 autovetura, të nisur kryesisht nga porti italian i Barit.
Këtë fakt e bëjnë të ditur nga drejtoria rajonale e policisë së kufirit dhe migracionit me qendër në qytetin bregdetar, sipas së cilës, pasdite priten dhe dy tragete të tjerë nga Trieste dhe Ankona, me 1100 udhëtarë dhe 400 automjete të tjerë.
Shumica e udhëtarëve janë bashkatdhetarë që mbërrijnë në Durrës për të vijuar më pas me automjete drejt qyteteve të vendit tonë, Kosovës dhe Maqedonisë, për të kaluar pushimet verore me familjet e tyre.
Përpunimi i udhëtarëve është realizuar në një kohë shumë të shkurtër, bënë të ditur burimet e policisë, duke theksuar se numri i udhëtarëve me tragete gjatë ditëve në vazhdim parashikohet të rritet edhe më tej. Ndërkohë, vetëm dje në Durrës kanë “zbarkuar” mbi 4 mijë udhëtarë me rreth 1000 automjete.
Ditën e shtunë në portin më të madh të vendit janë shënuar edhe udhëtimet e para shtesë vajtje-ardhje të trageteve dhe katamaranëve, të cilat do të vazhdojnë deri më 20 shtator, kryesisht në fundjavë.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›