Pushimet, mund ta lë vetëm bebin?
PYETJE - Dr.Çimi, kam një fëmijë 10 muajsh dhe një tjetër 5 vjeç. Do të desha të di nëse influencon negativisht tek ata, lënia nën kujdestarinë e gjyshërve, sepse kemi menduar me bashkëshortin që mos t’i marrim me vete në pushimet tona në Turqi? Ju faleminderit! Xhuli T.
PËRGJIGJE - E nderuar lexuesja ime! Pyetja juaj është mjaft e bukur dhe tregon jo vetëm interesin tuaj për artikujt e mi por, në mënyrë të veçantë, interesin për rritjen e fëmijës suaj. Kjo pyetje lidhet me atë që quhet “marrëdhëniet ndërnjerëzore”.
Së pari, le të shohim ndonjë mendim të përgjithëshem lidhur me këto marrëdhënie. Njeriu është, mbi të gjitha, një qenie shoqërore dhe si i tillë, ai ka nevoja të përhershme për njerëz të tjerë pavarësisht, nga intensiteti i lidhjeve me ta apo kohëzgjatja e këtyre lidhjeve. Pra pavarësisht nëse e ka më shumë apo më pak shok a mik një tjetër, pavarësisht se lidhja zgjat një apo shumë vjet njeriu kërkon vazhdimisht lidhje. Ky vlerësim është me rëndësi të madhe edhe tek fëmijët e bile edhe më i fuqishëm tek ta. Marrëdhëniet ndërnjerëzore përcaktojnë në një masë të madhe gjendjen psikike të njeriut. Në këtë fushë kanë punuar e punojnë mjaft psikiatër e psikologë, nga të cilët ja vlen të përmendet Sigmund Freud. Mendimet e tij sollën një revolucion të jashtë zakonshëm në marrëdhëniet ndërnjerëzore. Ato janë përqafuar e përdoren nga shumë njerëz në të gjithë botën, pavarësisht nga shtresa e tyre shoqërore. Sidoqoftë të gjitha punimet në këtë fushë edhe ato të Freud, kanë akoma vend për diskutim, nëse është bërë e mundur që të kenë arritur të ndryshojnë qëndrimet lidhur me marrëdhëniet midis njerëzve? Sa dhe si?
Gjatë gjithë jetës së tij, njeriu, ka nevojë për përkushtim e dashuri, pra, për tu ndjerë “si në familje” apo ta ndjejë veten të pranuar dhe të jetë i sigurt. Këto kërkesa shfaqen ndryshe nga një njeri tek tjetri pjesëtar i shoqërisë njerëzore. Kështu p.sh: Ka njerëz që dëshirojnë lidhje të sipërfaqshme por me shumë njerëz njëkohësisht. Ka të tjerë që dëshirojnë lidhje më të forta e të thella, por, me pak njerëz.
Këto kërkesa e nevoja janë një lloj edhe tek fëmijët e vegjël, bile tek këta janë edhe më të dukshme. Tek fëmijët këto kërkesa e nevoja ndryshojnë edhe nga njëra moshë në tjetrën.
Le të kthehemi tani tek pyetja. Mbi të gjitha, në fëmijët fare të vegjël, sikurse është djali juaj i vogël e deri në moshën 2-3 vjeç, janë shumë të rëndësishme e të veçanta lidhjet nënë-fëmijë. Në këtë moshë ata, as mund as ta kuptojnë e as mund ta suportojnë ndarjen nga nëna e tyre. Për tu bindur për këtë, mjafton të dimë se që në moshën e të porsalindurit, psikopediatrit kanë vërtetuar se në morinë e shkaqeve të të qarave të tyre janë edhe shkaqet psikologjike, ndër të cilat është edhe e qara kur nëna e le vetëm për të kryer ndonjë detyrë të vogël në shtëpi. Që në këtë moshë ai duket sikur thotë “Pse më le mua vetëm? A nuk ishim mirë të dy bashkë?”
Fëmijët nuk mund ta ndjejnë veten më të sigurtë se sa nën kujdesin dhe përkëdhelinë e nënës. Askush nuk mund t’ia zëvendësojë atij nënën. Mbështetur në këtë unë do t’ju thosha se për fëmijën tuaj të vogël mund të ketë ndonjë problem, ndërsa për të madhin problemet nuk do të jenë evidente. Ç’mund të ndodhë? Mundet që, fillimisht pas kthimit, fëmija të ketë një reagim të habitur dhe të tërhequr: “u ktheve, po pse më le?” duket sikur thotë. Apo të ketë një reagim të ashpër, me të qara dhe refuzim për t’ju u afruar: “pse më le, nuk të dua më!” duket sikur thotë këtë radhë. Mundet që të vini re një lloj trembje gjatë gjumit, të cilën nuk e ka pasur më parë. A ka pasoja një veprim i tillë? Përgjithësisht, kur këto largime janë një eveniment, (pra nuk ndodhin vazhdimisht dhe për një kohë të gjatë) nuk ka pasoja dhe riparohen mjaft shpejt. Por në se largimet janë të shpeshta, të përmuajshme, të vazhdueshme, atëherë pasojat do të jenë të dukshme në sjelljen e fëmijës.
Fëmijët hyjnë në marrëdhënie me prindërit në mënyrë të pakushtëzuar. Ata kurrë nuk vërejnë në se prindërit e tyre janë të dashur apo të ftohtë, në se janë të kujdesshëm apo shpesh herë të pakuptueshëm. Asnjë fëmijë deri në moshën 6 apo 7 vjeç nuk i prish lidhjet e marrëdhëniet me prindërit për të kërkuar ndihmë, mbrojtje e dashuri diku tjetër.
Prindërit, nga ana tjetër, krijojnë lidhje jo aq të pa kushtëzuara sikurse fëmijët me ta. Sidoqoftë, lidhjet e tyre me fëmijët janë shumë të forta. Ata janë gjithmonë të preokupuar për ushqimin, veshjen, ruajtjen e shëndetit të tyre etj.
Por midis këtyre lidhjeve ka një ndryshim të dukshëm: Në se fëmija e ka të vështirë apo nuk mund ta kuptojë ndarjen nga prindërit, qoftë edhe për fare pak kohë, prindërit mund ta lenë atë në duar të tjera, për hir të një problemi të veçantë familjar, shoqëror a detyre, edhe për disa ditë. Ky pra është dallimi
Disa zhvillime në prag të moshës 2-vjeçare
Nga muaji i 19 deri tek i 24-ti (gjashtë-mujori që mbyll vitin e dytë të jetës), fëmija përparon mjaft në të gjitha sferat e zhvillimit të tij psikomotor. Le t’i shikojmë ato me radhë:
Të kuptuarit dhe të folurit konsolidohen më shumë. Numri i fjalëve që njeh rritet muaj pas muaji. Kombinimi i dy apo tre fjalëve të ndryshme bëhet më i qartë dhe i plotë. Nuk ka pothuajse asnjë vështirësi për të emërtuar e treguar pjesët e trupit të tij por edhe të njerëzve të tjerë apo kukullave. Është në gjendje të kuptojë por edhe të realizojë disa porosi, të cilat i ka vërejtur të kryhen nga më të mëdhenjtë. Vështrimi i vëmendshëm i librave e revistave e ka bërë që të emërtojë një figurë maceje, qeni, zogu, kali apo njeriu dhe, jo vetëm kaq, por i emërton kafshët që she të gjalla para tij.
Zhvillimi i lëvizjeve arrin një pjekuri më të plotë. Veprime të tilla si goditja e topit me këmbë në drejtimin përpara, hedhja e topit me të dy duart, ngjitja apo zbritja e shkallëve, të ecurit përpara por edhe të ecurit me drejtimin mbrapa janë bërë tashmë veprime të zakonshme, të sigurta dhe mjaft të zhdërvjellëta. Në këta muaj vërehet se fëmija fillon të mësojë dhe të realizojë kërcimin në vend e po ashtu edhe qëndrimin për një deri dy sekonda me një këmbë.
Zhvillimi i lëvizjeve fine përfshin jo vetëm zhgarravitjen spontane të fëmijës, nxjerrjen e stafidhes dhe tregimin e saj nga një shishe e vogël me diametër 1.5 cm, por edhe ndërtimin e kullave me kuba të vegjël. Fillimisht këto kulla ndërtohen me dy kuba por gradualisht fëmija fillon të përdorë katër, gjashtë e deri në nëntë kuba kur ka mbushur dy vjeç. Në dy muajt e fundit (23-24) fëmija ka filluar të mësojë të imitojë vijën vertikale.
Zhvillimi vetjak shoqëror bëhet më shprehës. Vazhdon të imitojë kryerjen e punëve të shtëpisë që realizon nëna e tij dhe gjithashtu, e ndihmon atë në realizimin e detyrave të thjeshta që ajo ja kërkon të kryejë. Ritet aftësia për të zhveshur rrobat. Në këtë drejtim fillon të mësojë e të realizojë edhe zbërthimin e kopsave të veshjes së tij. Është në gjendje që të veshë këpucët, pa mundur t’i lidhë ato, por, është në gjendje t’i zgjidhë dhe t’i heqë këpucët. Po kështu fillon edhe te lajë e të fshijë duart me mjaft siguri. Tashmë personaliteti i tij është formuar, e ndjen veten të plotfuqishëm, mund të luajë në shoqëri të të tjerëve, fëmijë apo të rritur. Edhe ndarja nga nëna, është bërë më e lehtë dhe këtë veprim ai mund ta suportojë edhe për kohë të gjatë, pa patur asnjë problem.
Së fundi, le të shikojmë zhvillimin fizik të fëmijëve në këtë 6-mujor. Fëmijët femra arrijnë një peshë mesatare që shkon nga 11 deri në 11.8 kg dhe një gjatësi, që mesatarisht, shkon nga 82 deri në 86.5 cm. Po kështu fëmijët meshkuj mesatarisht peshojnë nga 11.8 deri në 12.4 kg, ndërkohë që arrijnë një gjatësi mesatare nga 83.5 deri në 87.5 cm.