Vdekje në sallën e operacionit
(Bazuar në një ngjarje të vërtetë para viteve ’90)
Ai ishte një kirurg tipik, shef i kirurgjisë. I gjatë, i fuqishëm, muskulor. Preciz në teknikën e tij. Gjithmonë i veshur plot shije. Askush nuk dyshonte që ai lexonte çdo ditë libra profesionalë. Por, libri, që ai nuk e ndau kurrë, ishte trupi i njeriut. Ai shikonte më shumë dhe më larg se të tjerët në trupin dhe plagët e të sëmurit. Ai i pari, shumë kohë më përpara se të tjerët, shikonte shenjat e granulimit në një plagë, ose vijëzën blu të një epitelizimi të ri. Kjo i jepte atij pamjen e një profeti në sytë e kolegëve.
Natyrisht, kish edhe nga ata që nuk e donin e që e quanin arrogant. Ata mundoheshin të nënvleftësonin sukseset e tij. Përpiqeshin t’u mbushnin mendjen njerëzve se ai i ekzalton veprimet për t’i dhënë vetes autoritet. Mundet. Por, për mendimin tim, kjo ndodhte nga ndershmëria e një njeriu që di sa vlen. Mjafton të shikoje bisturinë në dorën e tij, që të bindeshe për mjeshtërinë. Kur e di se je vetëm ti që mund ta bësh atë të veprojë ashtu si duhet, në perfeksion, kjo bën të zgjohet ndjenja e sovranit ndoshta ndonjëherë dhe e megalomanisë.
Kish nga ata që donin ta dëmtonin, duke thënë: “Doktori i kish qejf gratë”. Unë nuk di për këtë. Këto ishin vetëm llafe. Unë mendoj se ai kish të tjera gjëra në mëndje e nuk merrej me këto vogëlsira meskine. Për studentët e Mjekësisë dhe mjekët e rinj, ai ishte simbol i diçkaje heroike, diçka e bërë prej një brumi të veçantë Ai dinte të mbante distancë dhe të qëndronte gjithmonë më lart se të tjerët. Ai në mënyrë të natyrshme ishte ngritur në mrekullinë e tij, kur të tjerët nuk e bënin dot këtë.
Nuk kish miq të ngushtë në spital. Në këtë pikë kish diçka dëshpëruese. Një herë, shumë kohë përpara, ka qenë i zhgënjyer nga një miqësi e rreme dhe tani, edhe një fllad i lehtë miqësie po të frynte, e mundonte. Besimi i tij u shpërblye me pandershmëri nga të tjerët. Atyre që dikur u besonte, tani i përbuzte sepse ata e tradhtuan. I kalonte ditët midis atyre me më pak fat e më të dobët: me të sëmurët e tij. Dukej shumë i kujdesshëm kur vinte puna për të ruajtur personalitetin e tij. Ai reagonte gjithmonë duke ruajtur diçka sekrete, brenda një vetmie të zakonshme. Kjo i epte atij dukjen e një mendjemadhi e arroganti. Me pacientët gjithmonë ishte i çiltër dhe komunikonte drejtpërdrejt me ta. Për çdo pyetje ishte i parapërgatitur dhe përgjigjej me informacion bashkëkohor dhe specifik. Si lajmet e mira dhe të këqijat i epte me të njëjtin indiferentizëm.
***
I përcjellë nga shikimet plot admirim të pacientëve, që qëndronin në dyert e dhomave, në të dy anët e korridorit të gjatë që të çonte në sallën e operacionit, Kirurgu, ecte drejt saj. Këtë ritual që përsëritej çdo ditë, ai e ndjente si një obligim për të bërë më të mirën për të sëmurët e tij.
Në tavolinën e operacionit, ishte shtrirë një vajzë trembëdhjetë vjeçare. Gjithë trupi ishte mbuluar me çarçafët sterilë. Vetëm fytyra ishte e zbuluar. Një fytyrë e përçudnuar. Kur ishte fëmijë disa muajsh, në oborrin e shtëpisë në fshat, një derr që ndjeu errën e qumështit që ajo kishte pirë, e masakroi atë fytyrë të bukur fëminore. Ajo u rrit bashkë me shëmtimin. Për të mos shqetësuar të tjerët, vajza e gjorë, tërë kohën e mbulonte fytyrën me një shami të madhe
Në stolin para derës së sallës së operacionit, ishte ulur nëna e vajzës. Ajo kishte mbështjellë me plot kujdes, shaminë e bardhë të vajzës që e mbante në prehër. Sa e pa doktorin, ajo u ngrit në këmbë dhe shamia i ra në tokë. Me duart qe i dridheshin kapi duart e doktorit. I puthi ato dhe tha:
“T’u bëftë nëna ! -Mbase do të ketë fat edhe vajza ime të bëhet si shoqet e saj!?”.
Doktori u përkul, ngriti nga toka shaminë dhe duke ia dhënë nënës i tha: “Uroj që puna të shkojë mbarë dhe ajo të mos ketë më nevojë për këtë shami”!
Ai hyri në sallë. Anestezisti kish filluar narkozën dhe infermieria e kish lyer me jod fytyrën e vajzës. Ajo i kish ruajtur me kujdes pikat blu që doktori kish bërë në fytyrën e vajzës, si orientim për prerjet gjatë operacionit. Sa e sa herë doktori i kish vënë e i kish shuar ato pika, derisa vendosi variantin më të mirë për operacion. Lau dhe përpunoi duart për operacion, pa i hequr sytë nga pasqyra mbi lavaman.
Çdo herë që bëhej gati për operacion, ai vëzhgonte me kujdes sytë, të vetmet që ishin të zbuluara në fytyrën e tij. Sytë reflektonin shpirtin e tij, përgatitjen e tij psikologjike për operacion. Ja pse ajo pasqyrë e vogël ishte e dashur dhe e shtrenjtë për të. Askush tjetër veç atij nuk e dinte rëndësinë e saj. Ndjeu se ishte gati për atë punë të vështirë. Veshi bluzën sterile dhe u afrua tek tavolina e operacionit. Shtangu për një moment. Në ngjyrën e errët të jodit, ajo fytyrë e brejtur mizorisht, dukej edhe më e tmerrshme. Dhëmbët e bardhë shquanin më shumë aty ku buzët mungonin. E bardha e syrit të djathtë, dukej më e theksuar nga mungesa e kapakut të poshtëm.
Hunda, të cilës i mungonte një flegër, dukej më e llahtarshme. Për disa çaste ai soditi fytyrën e vajzës pa lëvizur. Mori frymë thellë dhe u përqendrua i tëri. Ky ishte momenti që ai ftoi për ndihmë të gjitha aftësitë e tij intelektuale, profesionale e njerëzore. Kjo i ndodhte vetëm kur kërkohej angazhim i jashtëzakonshëm. Askush nuk kish dëgjuar ndonjë fjalë prej tij në këto momente. Dhe kjo zgjat vetëm disa sekonda. Në sallë dëgjoheshin herë pas here fjalët:
-“Kalibrin” dhe ai kreu matjet e nevojshme edhe një herë.
-“Penën”, dhe ai korrigjoi diçka, në pikat që kish bërë më parë.
-“Bisturinë”, dhe e mbajti atë mbi fytyrën e vajzës.
-“Gati të fillojmë”, i tha ai anestezistit
-“Po”. U përgjigj ai.
Këto ishin urdhra që ai i përsëriste herë pas here me një ton prej ushtaraku. Vazhdimisht ka kërkuar bindje të verbër nga personeli dhe pacientët, për vite të tëra.
Ai uli thikën për të bërë prerjet e duhura. I përqendruar mbi fytyrën e vajzës, ai përpunonte në mendjen e tij gjithë ato copëza lëkure që do t’i duheshin për të mbyllur defektet në atë fytyrë. Ato figura gjeometrike të komplikuara, ishin të pakuptueshme për të tjerët në sallë.
I përqendruar tërësisht në punën që bënte, ai u rrëqeth kur dëgjoi zërin e tensionuar të anestezistit:
- “Prit, diçka nuk është mirë!”.
Pulsi 180 në një minutë. Tensioni arterial u rrit. Vajza përvëlonte, temperatura 42 gradë Celsius.
Kërkuan akull, por ai ishte i pamjaftueshëm për të përballuar këtë situatë. Në spital kishte vetëm një frigorifer, në Qendrën e Gjakut. Sytë e doktorit mbi maskë, dukeshin si të një shqiponje në luftim për të mbrojtur të vegjlit e saj. Çdo përpjekje ishte pa rezultat. EKG u sheshua dhe vajza vdiq.
Hoqi dorezat, bluzën dhe mori të dalë nga salla. Ishte ora katër pasdite. Të gjithë të pranishmit e tjerë dolën pas tij, të heshtur.
Nëna qëndronte e ulur në stol me shallin në duar. Të gjithë mendonin për këtë takim të jashtëzakonshëm, të nënës me doktorin.
Ai vetë ia tha nënës të vërtetën dhe ai e tha atë ekzaktësisht, siç kish ndodhur. Ai e bëri këtë për nënën. Por, ai e bëri edhe për veten. Ndjente nevojën të shpjegohej.
Po sikur ajo të bërtiste! Të binte në shesh. Të sulmonte me fjalë. Çdo gjë mund të ndodhte. Dhe ai priste, si të gjithë të tjerët të pranishëm, që diçka të ndodhte. Edhe në këtë situatë jashtëzakonisht të rëndë për një kirurg, ai u mësoi diçka atyre që e rrethonin. Ai e bëri këtë në një mënyrë shumë profesionale. Ai qëndronte para asaj gruaje të ulur në stol, pa folur. Ajo kuptoi gjithçka dhe u ngrit në këmbe.
“Nënë” tha ai, “më vjen shumë keq”. Buzët e tij lëviznin të rënda sikur të ishin prej guri. Ai i lëvizte ato me vështirësi. Zëri i tij ishte i thatë.
“Askush nuk mund ta parashikonte. Një reaksion i keq ndaj barit që jepet për gjumë në operacion. Ilaçi e helmoi vajzën. Temperaturë e lartë, dhe ajo nuk u zgjua më”.
Gruaja vëzhgonte buzët e tij si të ishte shurdhë. Ai u përpoq, po nuk e vuri dot nën kontroll një dredhje në cepin e buzës së tij. Me dy gishta të dorës së tij të djathtë, shtypi mbi sytë e tij
-“Vdiq?” pyeti gruaja. Sytë e saj njerëzorë, tani, kishin vdekur
-“Po, vdiq”. Ai mbylli sytë. Ai nuk i hapi ato deri sa ndjeu prekjen e duarve të gruas në duart e tij. Kjo ishte një prekje nga e cila ai nuk tentoi të largohej. Ai hapi sytë dhe pa hidhërimin që kish brejtur fytyrën e saj. Një fytyrë e thyer. Tiparet të shkrira. Sytë, hunda, goja që të gjitha ishin shtrembëruar prej dhimbjes, në një mënyrë që të kujtonin fytyrën e vajzës. Kaluan disa minuta në qetësi dhe fytyra e saj u qartësua, tiparet u rirregulluan vetiu. Ajo foli. Fjalët vinin ngadalë. Ajo donte të sigurohej se doktori i kuptonte të gjitha.
-“Mos u mërzit doktor, tha gruaja,- Zoti vendosi kështu. Jam e gëzuar që vajza u rregullua. Ajo do të shkojë në parajsë pa atë shëmtim të tmerrshëm që ia përvëloi shpirtin tërë jetën”. Pas një heshtje të vogël, ajo shtoi:
-“Tani do të shkoj. Nesër do të vijnë djemtë për ta marrë vajzën”. Ajo u largua e heshtur. Të gjithë të pranishmit u larguan pa folur asnjë fjalë. Çdo fjalë do të ishte e tepërt dhe do të prishte solemnitetin e këtij momenti.
Doktori hyri në zyrën e tij. Nuk donte ta shqetësonte askush, prandaj e mbylli derën nga brenda. Me sytë të ngulur tek portreti në murin përballë, ku një shqiponjë i gërryente mëlçinë Prometheut të lidhur majë një shkëmbi, u zhyt në mendime.
Ka ndodhi` në jetën e doktorit, që duket sikur me ato marrin fund edhe vitet e rinisë. Pas tyre, jeta dhe sjelljet e tij marrin një kuptim tjetër. Ai duket më i pjekur. Vetiu lind nevoja të rishikojë gjithë jetën e tij. Pas një ngjarjeje të tillë, doktori nuk është më ai që ishte më parë. Pati një moment që ai mendoi se fjalët e nënës nuk ishin ngushëllim, por një goditje për vdekje. Tamam në këtë moment, ai mendoi se ç’duhet të bëjë.
Mendoi që të shkonte natën vonë në morg, ta përfundonte operacionin. I vetëm në ftohtësinë e morgut. Gjithçka e përfytyroi sikur shikonte një film. “Jo, në asnjë mënyrë në morg”, i tha vetes, “në morg unë nuk do të bëj dot atë që unë dua të bëj. Unë dua të bëj sot kryeveprën time, që ta dërgoj në pafundësi. Do të shkoj në sallën time, atje është studioja, tempulli im, atje çdo gjë është e njohur dhe e dashur për mua. Gjatë gjithë jetës, kur kam hyrë tek ky tempull, jam ndjerë ndryshe nga kudo gjetkë, më i fortë, më i mençur, më human, më artist.
Do të kthehem ta përfundoj operacionin në sallë, atje ku vajza vazhdon të jetë akoma. Vdekja e saj nuk ishte e zakonshme për të. Ajo nuk duhej të ndodhte. Vuajtjet e asaj vajze dhe asaj nëne meritonin të shpërbleheshin qoftë edhe me një moment të vetëm gëzimi. Ai duhej t’i kish thënë nënës, se nuk kish arritur të bënte asgjë në fytyrën e saj. Ai nuk e tha këtë. A ishte ky një nënvleftësim? A ishte ky një nga ato gabime që i bëjmë të gjithë pa kuptuar?
Tamam në këtë moment, mori vendimin: Vajza, duhet të shkojë në shtëpi me fytyrë të rregulluar. Nëna dhe gjithë të tjerët, duhet të shohin një bukuroshe. Shumë vjet ajo ua fshehu fytyrën njerëzve dhe vuajti pa pasur asnjë faj. Tani duhet patjetër që njerëzit ta soditin atë fytyrë të bukur. Ai krijoi për atë fytyrë një përfytyrim të ri, më të përsosur se para operacionit.
Tanimë e kish marrë vendimin. Fytyrën e vajzës do ta qëndiste.
Vrullshëm u ngrit në këmbë. Hodhi shikimin mbi Prometeun. Hapi derën dhe u drejtua nga salla e operacionit
Tani në sallë ishte vetëm ai dhe trupi i brishtë i asaj vajze të mjerë.
Vite me radhë kish operuar në atë sallë, por asnjë herë nuk ka pasur atë tension që ka tani. Kurrë nuk i ka provuar këto emocione. Salla e operacionit, kurrë nuk ka qenë sallë morgu, ku studentët dhe doktorët mësojnë të bëjnë ato që do t’i përsëritin tek të sëmurët.
Hapi çarçafin që mbështillte trupin e saj. Bëri prerjen e parë. Pak gjak i zi i trashë doli nga plaga. E fshiu gjakun me një garzë. Nuk doli më gjak. Preu disa herë radhazi, duke bashkuar pikat blu derisa u bë prerja zigzage. E la bisturinë dhe mori gërshërët dhe pincat, për të formuar lambotë. Rrotulloi çdo lambo dhe e vendosi në vendin e ri. U sigurua që nuk ka tërheqje. Gati për të vendosur suturat. Çdo suturë u vendos në mënyrë precize, e baraslarguar. Tërhoqi çdo nyjë, deri sa buzët u adaptuan jo shumë shtrënguar. Këto ishin suturat më metikuloze të jetës së tij. Preu çdo pe` afër nyjës. Duhet edhe një suturë tjetër, të cilën e vendosi. Djersët njomën fytyrën e tij. Me një garzë të njomur, pastroi gjakun nga fytyra e vajzës. Nën ndriçimin e llambës, fytyra e vajzës dukej tani e bukur, por e zbehtë dhe e ftohtë. Kjo punë zgjati disa orë. Në fund të operacionit, në fytyrën e vajzës kishte vetëm disa vijëza të holla qepjesh, por defektet ishin mbyllur mrekullisht. Engjëlli po flinte…! Ajo do të shkonte në parajsë me fytyrën e gdhendur nga dora e një mjeku, që në fushën e tij ishte një Mikelanxhelo i vërtetë.
Ai nuk e fashoj fytyrën e vajzës dhe soditi për disa çaste bukurinë e saj.
***
Të nesërmen një kamion i kooperativës, plot bura e gra dhe një arkivol veshur me beze të kuqe, ndaloi tek porta e morgut. Ata morën trupin e vajzës dhe u nisën për në fshat.
Arkivolin e vendosën në mes të dhomës më të madhe të shtëpisë. Gratë, sipas zakonit, u vendosën rreth dhomës. Askush nuk guxonte të hiqte kapakun e arkivolit, që të dukej fytyra e vajzës. Të gjithë mendonin se ajo fytyrë do ta shtonte hidhërimin e vdekjes.
“Hiqeni kapakun”, tha nëna, që qëndronte pranë arkivolit me shallin e vajzës në duar. Kish nga ato që mendonin se nuk do të ishte mirë të hiqej kapaku. Kur trupi u zbulua, të gjitha gratë në dhomë i pushtoi ankthi. Fytyra e nënës u çel. Gruaja, me shami të zezë në kokë, që e tregonte më të madhe nga sa ishte në të vërtetë, me ton të rëndë tha:
“Doktori është si një engjëll. Ai e ka mbaruar punën e tij. Vajza ime tani është e bukur! Brenga ime e zëmrës m’u lehtësua!”.
Të gjitha u shtangën nga fjalët e nënës. Ato menduan se kjo ishte një përçartje e saj, por ajo ngulmoi që ato ta shihnin vajzën e saj të bukur. Kur ato u afruan tek koka e vajzës, nëna tha:
“Shikoni vetëm disa viza të holla, që Zoti do t’i fshijë me kohë”.
Atje ku ishte defekti, të gjitha panë vetëm disa viza të freskëta prej nyjesh të vogla. Çdo gjë në atë fytyrë ishte rregulluar mrekullisht...
---------------------------------------------------------------------------------------------Ana e errët e mjekëve: Drogim, tradhti bashkëshortore, vetëvrasje...
Në shënimet e mia të shumë viteve më parë lexoj:
Profesori im i fakultetit, pas një çarjeje psikike disavjeçare, përfundoi në vetëvrasje të llahtarshme. Në apartamentin ku jetonte i vetëm, u gjet një grusht me mbeturina të një trupi të djegur.
Ajo që ndodhi me profesorin tim të respektuar, sot është një gjë e zakonshme, por shumë alarmuese midis mjekëve. Studimet më të fundit kanë treguar se ata që praktikojnë mjekësinë, i paguajnë me çmim shumë të lartë përfitimet që vijnë prej saj.
Përqindja e lartë e përdorimit të drogës prej mjekëve, përqindja shumë e lartë e “mizerjes martesore” midis tyre, angazhimi në marrëdhënie erotike me pacientet, kanë bërë që suicidi të jetë katër herë më i lartë midis mjekëve sesa në pjesën tjetër të popullsisë. Të gjitha këto përbëjnë atë që sot quhet “Sëmundja e të qenurit mjek” (Disease of Being a Physician)
Për mua, si për këdo, këto statistika tregojnë anën më të dukshme të një problemi, që është shumë kompleks. Edhe ata mjekë që me sukses kooperojnë me përgjegjësinë e detyrës së tyre, që kanë mundur të evitojnë dhënien pas drogës, që u kanë shpëtuar çarjeve psikike dhe kanë shmangur fatkeqësitë e martesës, ndjehen kohë pas kohe të inonduar nga kërkesat e profesionit.
Shoqëria mundohet të bëjë gjithçka për të izoluar shumicën e njerëzve nga vdekja dhe vuajtjet, ndërsa mjekët, për arsye të misionit të tyre, janë vazhdimisht të ekspozuar në të gjitha aspektet e mizerjes njerëzore. Por nuk është kjo e gjitha. Në asnjë fushë tjetër të aktivitetit shoqëror, kërkesat e publikut nuk janë më të larta dhe pasojat e dështimeve profesionale më shkatërruese sa janë tek mjekët.
Tri herë dështuan shkencëtarët e NASA-s për të dërguar sondën në Mars. Por, unë nuk besoj që dëshpërimi i tyre të jetë më i madh se i një mjeku që pëson një fatkeqësi në sallën e operacionit.
Më poshtë, në respekt të gjithë kolegëve të mi mjekë, po sjell këto shënime.
* * *