Pushimet verore, fluks emigrantësh në Kakavijë dhe Kapshticë

Emigrantët shqiptarë që jetojnë në vendin fqinj, kanë zgjedhur ditët e fundjavës për të udhëtuar në drejtim të atdheut të tyre, por në doganan e Kapshticës nuk kanë mundur të shmangin dot pritjen 2 deri në 3 orë për të kryer procedurat ndërkufitare nga njëra pikë kalimi në tjetrën.
Sipas të dhënave zyrtare , nga dogana në juglindje të vendit gjatë 24 orëve të fundit kanë hyrë nga Greqia 4970 persona me plot 1654 automjete. Mësoshet gjithashtu se gjatë ditës së sotme pala shqiptare punon me 6 sportele vetëm për hyrjet nga Greqia, ndërsa pala greke me 2 sportele për dalje nga vendi i saj. Policia shqiptare është në gatishmëri të plotë, ndërsa ka dhe një numër efektivash më të lartë se zakonisht për të përballuar fluksin e stinës së verës.
Autoritet shqiptare bëjnë të ditura se gjatë dy javëve të fundit kanë hyrë nëpërmjet Kapshticës rreth 50 mijë emigrantë, ndërkohë që pritet që piku më i madh i dyndjes së tyre të jetë në ditët e para të muajit gusht e në vazhdim. Edhe në doganën e Kakavijës fundjava ka rritur fluksin e emigrantëve dhe turistëve që vijnë në vendin tonë për pushime apo për vizita ditore.
Gjatë 24 orëve të fundit në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë si dhe në Pikën Kufitare të Tre Urave Çarshovë në Permet kanë hyrë 4.352 persona si dhe 1.122 automjete. Ndërsa kanë dalë 2.501 persona dhe 596 automjete. Nga pala shqiptare është punuar me 6 sportele në hyrje dhe 3 në dalje, ndërsa nga pala greke punohet me 2 sportele në hyrje dhe 2 në dalje. Nga bashkëpunimi i Policisë Kufitare e Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër me palën greke nuk janë shfaqur radhë në Kakavijë, as tek pala jonë e as në palën greke.