Berat, zjarr në lagjen Goricë

Kodrat e lagjes Goricë në qytetin e Beratit janë përfshirë nga flakët që prej mbrëmjes së djeshme, ndërkohë që situata është rënduar gjatë paradites së sotme, pasi tani vatrat e zjarrit kanë shkuar në tre, duke djegur dhjetra hektarë me pisha.
Mëngjesi i ditës së sotme e ka gjetur krejtësisht të përfshirë nga tymi qytetin e Beratit, ku si rezultat i zjarrit të rënë në lagjen Goricë temperaturat kan qënë shumë të larta. Të gjitha forcat e zjarrfikëses së Beratit, por dhe ato të ardhura nga Kuçova janë duke punuar që prej mbrëmjes së djeshme për të fikur flakët e zjarrit, të cilat kanë përfshirë dy prej kodrave të lagjes muzeale Goricë, njëra në vendin e quajtur Mali Partizan dhe tjera Sheshi i Dosave.
Ndikuar dhe nga era flakët e zjarrit kaën depërtuar dhe më thellë në pyllin me pisha që konsiderohet si mushkria e qytetit duke djegur dhjetra pemë. Në ndihmë të forcave zjarrfikëse kan ardhur dhe punonjës të ndërmarrjes së pyjores, por flakët e zjarrit ende nuk po munden që të vihen nën kontroll, pasi vazhdon ende të përparojë në kodrat e kësaj lagje,por fatmirësisht jo shumë pranë banesave karakteristike. Në vendin e ngjarjes ndodhen forca të policisë, të cilët janë duke hetuar mbi shkaqet e rënies së këtij zjarrit. Nga hetimet e para dyshohet se zjarri është vënë në mënyrë të qëllimshme.
Alarmin për rënien e zjarrit në këtë zonë dhe rreziqet që mund të vinin prej tij i dha vetëm pak ditë më parë shefi i sektorit të zjarrfikëses në qytetin e Beratit, Shpëtim Gorica. Sipas këtij të fundit bllokimi i qarkullimit mbi urën e Gricës, mos vënia në punë e hidranteve dhe mos pastrimi i zonës nga shkurret dhe degët e thata të pemëve do të bëheshin shkaqet kryesore për mos ndërhyrjen në kohë në rast rënie zjarri. Ashtu siç dhe parashikohej zjarri i rënë mbrëmjen e djeshme, por që po vijon ende me përmasa dhe më të mëdha jo vetëm që nuk u lokalizua në kohë, por po vë në rrezik edhe djegien e kodrave të gjelbëruara të kësaj zone, pjesë e ansamblit të vlerave të qytetit të Beratit.