E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbërrin në atdhe misioni paqeruajtës “Eagle 4”

Mbërrin në Rinas Kontigjenti Paqeruajtës “Eagle 4”, i cili kthehet në atdhe, pasi kreu me sukses misionin paqeruajtës në Kandahar të Afganistanit.

Në Aeroportin e Rinasit është zhvilluar ceremonia e pritjes së misionit paqeruajtës, pjesë e të cilit ishte edhe Dëshmori i Atdheut, Kapiten Feti Vogli, i cili ra në krye të detyrës më 20 shkurt të këtij viti duke kryer misionin në një zonë të Kandaharit në Afganistan ndërsa u plagos edhe nëntetar Aleksandër Peci. Në aeroportin e Rinasit ka qënë i pranishëm edhe nëntetari Aleksandër Peci i cili ka pritur shokët të tij të misionit.

Për pritjen e Kontingjentit Paqeruajtës kanë qënë të pranishëm drejtuesit kryesor të Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, si dhe familjarë dhe të afërm të paqeruajtësve.

Në ceremoninë e pritjes së paqeruajtësve, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjen/major Xhemal Gjunkshi, vlerësoi kontributin e jashtëzakonshëm që ky mision ka dhënë në shërbim të paqes, lirisë dhe sigurisë në botë.

“Është nder dhe privilegj për mua që përshëndes sot kthimin tuaj në atdhe, na përfaqësuat denjësisht në këtë mision të vështirë. Kam një lidhje të veçantë me kontingjentin tuaj, në 15 gusht të vitit 2011 ju përcolla, ju shtrëngova duart, ju pashë nga afër në Kandahar, dhe sot po ju përshëndes për kthimin plot dinjitet. Misioni juaj ishte në shërbim të paqes dhe sigurisë në botë. Në këtë mision ne humbëm jetën e kapiten Voglit, morëm plagët e nëntetar Pecit, por fituam një dëshmor më shumë, fituam mbështetjen dhe respektin e aleatëve tanë”, tha ai.

Ndërsa nënkolonel Behar Mara tha se ky ka qenë një nga misionet më të vështira në zonën e Kandaharit, dhe se grupi “Eagle 4”, ka përballur gjithçka me shumë profesionalizëm.

Ai shtoi se grupi e ka përballuar me shumë dhimbje humbjen e Kapiten, Feti Voglit, i cili ra në përmbushje të misionit të tij në një nga zonat më të rrezikshme të Kandaharit, duke shtuar se pavarësisht kësaj, komandot shqiptare e përballuan me sukses misionin e tyre.

Nënkoloneli, tha se trupat shqiptare janë të përgatitura për tu përballur me vështirësitë dhe më këto dhimbje. Gjatë misionit, trupat shqiptare kanë treguar vlerat më të mira të shqiptarizmit, tha ai.

“Eagle 4” ishte kontingjenti i dhjetë paqeruajtës, të cilit iu bashkuan edhe pesë efektivë të Policisë së Shtetit, të gjithë pjesë e kontingjentit OMLT 2, të ekipit trajnues të policisë afgane. Kontingjenti “Eagle 4” përbëhej nga 45 efektiva të Batalionit të Forcave Speciale.

Kontingjenti shqiptar i përbërë me trupa nga Batalioni i Operacioneve Speciale kreu për 6 muaj misionin në Kandahar të Afganistanit, në një prej pikave më të nxehta të konfliktit në këtë vend.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›