Itali, theri me thikë në qafë nënën, arrestohet adoleshenti shqiptar

Një adoleshent shqiptar është ndaluar nga policia italiane pasi akuzohet se ka tentuar të vrasë nënën e tij. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Vasto të Italisë, ku një i ri 17-vjeçar me inicialet, G. M, pasi ka qëlluar me thikë në fyt nënën e tij, në banesën ku jetonin, ka dalë me makinë me disa bashkatdhetarët e tij.
Ai është ndaluar nga policia gjatë një kontrolli rutinë, por kur kanë parë njolla gjaku në bluzën e tij policët kanë kërkuar shpjegime dhe djali ka treguar se kishte qëlluar të ëmën me thikë.
Ndërhyrja e menjëhershme në banesën e këtij të fundit ka lejuar transportimin e gruas në spital. Policia sqaron se ajo është gjetur e mbuluar nga gjaku në krevatin saj dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrje të menjëhershme kirurgjikale.
Thika e bukës, me të cilën djali ka therur të ëmën është gjetur nga policia në dhomën e gjumit ndërsa dyshohet se shkak për veprimin e të riut është bërë një zënkë e tij me të ëmën.