Pushimet verore, më pak para për ofertat në internet
Për të gjithë ata që kërkojnë të kalojnë pushimet verore duke kursyer, me aq sa ofrohet mundësia, ka një zgjidhje.
Bëhet fjalë për rezervime dhe blerje në internet, të njohura ndryshe si online. Kjo do të thotë se, përveçse mund të shihni ofertat e agjencive turistike shqiptare online, mund t’i krahasoni ato me ofertat e vendeve fqinje, duke shtuar apo hequr udhëtimin me avion në rastet kur paketat turistike gjenden në agjenci të huaja dhe jo vendase. Por jo vetëm kaq, për secilin vend, plazh, hotel, udhëtim, me vakte të përfshira ose jo, ju mund të shihni dhe rishihni derisa të gjeni një variant të përshtatshëm për datat e pushimeve tuaja, si dhe buxhetin e vendosur në dispozicion për planifikimin e pushimeve verore 2010.
Shqyrtimi i ofertaveOfertat në internet mund të jenë për një fundjavë, për një javë, 10 ditë, apo edhe 2-javore, kjo në varësi të dëshirës dhe mundësisë së gjithsecilit. Por studimi i terrenit duhet të jetë i përhershëm dhe i vazhdueshëm për të kapur ato oferta të cilat mund të jenë më të leverdishme si në çmim, ashtu edhe në kohëqëndrim, paketa të cilat janë promocionale apo që për shkaqe të ndryshme jepen me kosto më të leverdishme se ofertat normale.
Që të paguajmë pushimet online, në internet, duhet të kemi një llogari rrjedhëse në një nga filialet e bankave në vend, të cilat më pas të pajisin me kartën nga e cila mund të bësh blerje online në sajtet në të gjithë botën. Ajo që është e volitshme në këtë rast i referohet kursimit të shërbimit që do të jepnin agjencitë turistike në këmbim të informacionit apo kryerjes së shërbimit për ju. Sipas të dhënave, për secilën blerje, për shkak të komisioneve, secilit prej jush do t’i mbahet edhe një përqindje e vogël. Bëhet fjalë për rreth 2.5 për qind të shumës, duke kursyer në këtë mënyrë kohë, telefon, por edhe duke i vendosur në qarkullim paratë që do t’i detyroheshim agjencisë së udhëtimit.
Shpesh në ofertat turistike që na dërgohen me e-mail, apo kur prenotojmë pushime, na thuhet se brenda paketës së udhëtimit pjesë e shërbimit është edhe asistenca...
Sajte utilitareAdresat utilitare të cilat mund t’i përdorë secili prej nesh janë të shumta, duke nisur nga ofertat e minutës së fundit e deri te udhëtimet me pak kosto. Për të gjitha këto nevojitet vendosja në lëvizje e motorëve të kërkimit, studimi i ofertave, duke nisur nga më e lira, më pas vjelja e informacionit, dhe në fund kryerja e veprimeve. Duhet të jemi të kujdesshëm që të përfitojmë si nga agjencitë shqiptare, ashtu edhe nga ato të huaja; si nga ofertat e vendeve fqinje, ashtu edhe nga kompanitë që ofrojnë udhëtime fluturimi nga një vend në tjetrin. Shpesh tarifat për të cilat duhet të paguajmë janë vërtet të lira, nëse kapen në kohë dhe nëse klikojmë në adresat e duhura.
Tashmë prenotimi i biletave online është bërë traditë edhe në vendin tonë, por sipas punonjësve të bankave, ata të cilët operojnë me këtë sistem janë kryesisht mosha të reja, apo të pasionuar pas udhëtimeve dhe kapjes së ofertave. Po ashtu, ata që përfitojnë nga momenti i fundit, nga ofertat e çasteve të fundit, janë qytetarët më të lirë, apo që nuk kanë vështirësi për të përcaktuar shpejt e për të marrë lejen e zakonshme atëherë kur duan vetë.
#