Gati për votim drafti me gjobat e kontabilistëve
Kush merr përsipër të certifikojë bilancin e një kompanie private, pa qenë i regjistruar në organizmat monitorues me ligj, do të ndëshkohet me gjoba disa milionë lekë. Projektligji “Për auditimin ligjor, organizimin e profesionit të ekspertit kontabël të regjistruar dhe kontabilistit”, të miratuar pak kohë më parë nga Këshilli i Ministrave, ka mbërritur për votim këto ditë në Kuvend. Sipas nenit 58, tashmë i ndryshuar, që flet për ushtrimin e profesionit të ekspertit kontabël dhe shoqërisë audituese pa qenë i regjistruar, “Ushtrimi i profesionit të ekspertit kontabël apo përdorimi i emërtimeve si shoqëri audituese, pa qenë i regjistruar më parë në regjistrin publik të ekspertëve kontabël, si dhe përdorimi i çfarëdo titulli, që synon të krijojë ngjashmëri ose konfuzion me këta tituj profesionalë apo emërtime, përbën kundërvajtje administrative dhe dënohet me gjobë nga 5 milionë deri në 10 milionë lekë”. Sipas projektligjit, vendimi për vendosjen e gjobës merret nga bordi i mbikëqyrjes publike, kurse vendosja e dënimit administrativ, sipas këtij ligji, nuk ndalon paraqitjen e kallëzimit penal në prokurori. Sipas Ministrisë së Financave, “ushtrimi i parregullt i profesionit të ekspertit kontabël dhe i shoqërisë audituese për shkak të kundërligjshmërisë dhe rrezikshmërisë shoqërore që paraqet është parashikuar si kundërvajtje administrative”.
#