Pushkë gjuetie në aeroportin e Prishtinës

Dogana e Kosovës vetëm në dy javët e fundit ka zbuluar mallra të ndryshme komerciale, si dhe mallra të ndaluara që janë tentuar të futen kontrabandë. Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës, oficerët doganorë kanë parandaluar disa raste të kontrabandës së mallrave të ndryshme. Si raporton KTV-ja, vetëm gjatë kësaj periudhe kohore në tri raste janë zbuluar 54 telefona të llojeve iPhone 5 dhe Samsung Galaxy. Po ashtu, te një udhëtar tjetër është zbuluar një pushkë gjuetie si dhe 6 000 copë fishekë gjuetie. Në regjionin e Mitrovicës, njësitet anti-kontrabandë vazhdimisht kanë zbuluar raste të tentimit të kontrabandës së mallrave të ndryshme.
Të gjitha rastet e regjistruara si kontrabandë me mallra i janë dorëzuar sektorit për kundërvajtje doganore, ndërsa rastet me mallrat e ndaluara i janë dorëzuar Policisë së Kosovës, ku ndaj të dyshuarve janë iniciuar procedura për kontrabandë të mallrave./Indeksonline/