Pushteti lokal paralajmëron masa për ardhacakët

Komuna e Prishtinës më gjasë do të detyrohet që të mos pranojë as një paciente të Komunave tjera në Shtëpitë e shëndetit që janë nën autoritetin e qeverisjes komunale. Kjo ngase Qeveria e Kosovës i ka shkurtuar kryeqytetit grantin për shëndetësi për rreth 2.5 milion euro.
Rrezikun e ka paralajmëruar nënkryetari i Komunës së Prishtinës, Avdullah Hoti.
“Sipas qarkoreve buxhetore për vitin 2014, Komuna e Prishtinës do të ketë 2.5 milion euro më pak buxhet për shëndetësi, që nuk mbulon as pagat e mjekëve në Prishtinë. Gjatë një viti, në Komunën e Prishtinës ofrohen rreth 1.8 milion shërbime shëndetësore për qytetarë të mbarë Kosovës. Me këtë buxhet, Komuna do të detyrohet të ndalojë ofrimin e shërbimeve për ata që nuk janë banorë të Prishtinës. Mijëra njerëz që jetojnë dhe punojnë në Prishtinë gjatë javës do të detyrohen që për kontroll shëndetësorë të shkojnë në komunat e tyre përkatëse”, ka thënë nënkryetari Hoti.
Edhe pse, Komisioni i Granteve e ka ngritur këtë problem në Ministrinë e Financave, sipas Hotit, nuk ka ndryshuar asgjë në të mirë të komunës.
Sipas tij, kjo qasje e Qeverisë ndaj Prishtinës, nuk ka si të kuptohet ndryshe përpos bojkot dhe neglizhencë e Qeverisë Thaçi ndaj kryeqytetit dhe qytetarëve të Prishtinë që bindshëm e kanë votuar LDK-në në zgjedhjet e kaluara. /Indeksonline/