E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin - Berluskoni, takim mes miqsh

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka vizituar Kryeministrin e sapozgjedhur italian, Silvio Berluskoni, në vilën e tij luksoze në Sardenjë, në një takim privat, por ku gjithsesi, u bisedua mbi çështje të ndryshme, mes të cilave, energjia dhe "Alitalia". Berluskoni mbërriti në aeroportin "Olbia", i shoqëruar nga një helikopter policie, ndërsa avioni i Putinit, u ul ngadalë në pistë. Duke ndaluar shkurtimisht para gazetarëve, para se të nisej drejt avionit të Putinit për të përshëndetur mikun e tij rus, Berluskoni bëri disa komente mbi lidhjen e ngushtë që Italia ka me Federatën Ruse. "Ai është shumë miqësor, e ka treguar veten se është një mik i madh thjesht me faktin që ka ardhur këtu. Kjo tregon një marrëdhënie të ngushtë dhe të konsoliduar që nuk është luhatur kurrë", tha Berluskoni për Putinin. Në fakt, të dy ata, ndërtuan një marrëdhënie të ngrohtë gjatë mandatit të fundit të Berluskonit në detyrë, nga viti 2001-2006, kur fokusimi i tij drejt Rusisë, Izraelit dhe Shteteve të Bashkuara e izoloi Italinë brenda Bashkimit Evropian. Putin dhe Kryeministri në largim, Romano Prodi, nënshkruan një marrëveshje të rëndësishme, strategjike, për energjinë, në 2006-ën, mes "Gazprom"-it dhe "Eni"-t, duke u përqendruar kryesisht te rrugëkalimet e naftës dhe gazit. "Federata Ruse është shumë e rëndësishme për ne. Ne marrim 30 për qind të naftës dhe gazit prej saj e ndërkohë ka dhjetëra mundësi bashkëpunimi mes kompanive tona, "Enel" dhe "Eni", për të punuar me homologet ruse", tha Berluskoni duke nxjerrë në pah kështu lidhjet e forta në sektorin e gazit dhe naftës, mes dy vendeve. Presidenti rus që largohet nga detyra më 7 maj, për t‘u bërë Kryeministër i vendit, nën pasuesin e tij besnik, Dimitri Medvedev, ishte i pari lider i huaj që takohet me Berluskonin pas fitores së manjatit të mediave që i solli atij edhe mandatin e tretë si Kryeministër i Italisë. Vizita e Vladimir Putinit në Sardenjë, ka intensifikuar ndërkohë edhe spekulimet se Berluskoni mund të kërkojë ndihmën e tij në rikthimin në lojë të kompanisë ajrore italiane, "Alitalia", që vazhdon të regjistrojë humbje pa pushim. Veç të tjerash, pak ditë më parë, sindikatat lokale refuzuan blerjen e kompanisë ajrore nga "Air France-KLM". Ishulli shumëpopullor i Sardenjës, është dukshëm i braktisur në këtë sezon, para pushimeve të verës, por kjo nuk do ta ndalojë Berluskonin të prezantojë më të mirën e këtij ishulli para mikut të tij, Putin, i ftuar nderi në vilën e tij luksoze, "Certosa", ku ai ka ndërtuar madje edhe një vullkan artificial, me qëllim që të argëtojë të ftuarit e tij. Të dy liderët, më tej darkuan së bashku dhe kanë lajmëruar ndërkohë se do të dalin para gazetarëve vetëm gjatë ditës së sotme.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›