Putin: Duam prova bindëse për Sirinë
Presidenti rus, Vladimir Putin u shpreh sërish kundër ndërhyrjes së njëanëshme në Siri.
Në një intervistë për mediat ruse, Putin tha se një ndërhyrje e tillë do të ishte një agresion i mirëfilltë ndaj një vendi sovran.
Ai bëri thirrje që të kërkohet mandati i Kombeve të Bashkuara për ndërhyrjen në Siri. Por rezolutat e shtruara në Këshillin e Sigurimit marrin veton ruse dhe kineze duke bllokuar reagimin e përbashkët ndërkombëtar.
Lidhur me këtë, presidenti rus nuk përjashtoi mundësinë e votës pro në Këshillin e Sigurimit nga ana e Moskës, por me një kusht.
Ne nuk përjashtojmë mbështetjen në Këshillin e Sigurimit të ndërhyrjes në Siri, por kjo vetëm nëse na paraqiten prova bindëse, përtej çdo dyshimi që presidenti Bashar al-Assad ka përdorur armët kimike, tha ai.