E Shtunë, 31 Tetor 2026

Putin apo Medvedev?

Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, nëse mund të gjykohet në bazë të deklaratave të kreut të saj, synon fitoren në zgjedhjet parlamentare këtë vit dhe në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, ndërsa prioritet e konsideron kandidaturën e shefit të saj, Putin. E nëse ai heq dorë, atëherë kjo parti do ta mbështetë Medvedevin, siç ka bërë edhe në vitin 2008. Nga Express më 19 prill 2011 në ora 09:29

Deklarata e kryeministrit të Rusisë, Vladimir Putin, se as ai e as presidenti Dimitri Medvedev nuk e përjashtojnë mundësinë që të kandidohen në zgjedhjet presidenciale në vitin 2012, sërish ka zhytur në spekulime mediet, politikologët dhe ekspertët - të cilët kanë vlerësuar në mënyra të ndryshme situatën dhe kanë ofruar prognoza të ndryshme për të ardhmen.

Partia në pushtet, Rusia e Bashkuar, nëse mund të gjykohet në bazë të deklaratave të kreut të saj, synon fitoren në zgjedhjet parlamentare këtë vit dhe në zgjedhjet presidenciale vitin e ardhshëm, ndërsa prioritet e konsideron kandidaturën e shefit të saj, Putinit. E nëse ai heq dorë, atëherë kjo parti do ta mbështetë Medvedevin, siç ka bërë edhe në vitin 2008.

Vetë Putini ka deklaruar se ende është herët të flitet për zgjedhjet presidenciale, të cilat zhvillohen në mars të vitit të ardhshëm dhe ka kërkuar edhe nga partia e tij që të përmbahet dhe të përgatitet për zgjedhjet parlamentare, të cilat pritet të zhvillohen në dhjetor.

Sipas mendimit të drejtorit të fondacionit rus “Strategjia 2020”, Mihail Remizov, Medvedev do të kandidojë sërish vitin e ardhshëm.

Remizov deklaroi për gazetën “Nezavismaja Gazeta” se përparësi të rëndësishme të presidentit aktual janë marrëdhëniet e tij të mira me Perëndimin dhe perspektiva e integrimit me botën perëndimore, e në funksionin e presidentit ai do t’i kontribuonte ruajtjes së stabilitetit në Rusi me anë të premtimeve për ndryshime.

Ndryshe mendon ish-zëvendëskryeministri i Rusisë, e tani bashkëkryesues i partisë së paregjistruar opozitare Partia e Lirisë Popullore, Boris Nemcov, i cili theksoi se Putini synon që zgjedhjet parlamentare në dhjetor t’i shndërrojë në referendum për besim ndaj tij, me qëllim që ta vendosë Medvedevin para aktit të kryer.

Në anën tjetër, kryesuesja e Qendrës për hulumtimin e elitave në Akademinë Ruse të Shkencave, Olga Krishtanovska, është e mendimit se Putin dhe Medvedev janë marrë vesh që moti, ndërsa drejtori i Fondacionit për politikë efikase, Gleb Pavlovski, është i mendimit se deklarata e Medvedevit - se ai nuk e përjashton mundësinë e kandidimit në zgjedhje - duhet të kuptohet në atë mënyrë që presidenti aktual vetë do ta marrë vendimin, por se paraprakisht do të arrijë një marrëveshje me Putinin.

Anëtari i Këshillit të Fondacionit Karnegi në Moskë, Aleksej Malashev, thotë se informatat e sakta në lidhje me zgjedhjet nuk i posedon askush dhe se nuk e përjashton mundësinë që pas zgjedhjeve dyshja do të vazhdojë të ekzistojë si një “sistem në dy këmbë”, i cili pjesërisht punon në Perëndim dhe pjesërisht në tregun e brendshëm.
Një nga të paktit që besojnë se në zgjedhje mund të kandidojnë edhe Putini edhe Medvedevi është deputeti i Parlamentit rus, Konstantin Zatulin.

Por, kjo mundësi duket shumë e vogël, ndërsa Putin qysh në shtator të vitit 2009 pati theksuar se nuk dëshiron të jetë konkurrent i Medvedevit.

“Në vitin 2012 do të marrim parasysh realitetin e atëhershëm, planet tona private, peizazhin politik, qëndrimin e Rusisë së Bashkuar”, pat deklaruar Putin.

Sa i përket opinionit publik, sipas hulumtimit më të ri të Qendrës Levada, 36 për qind e të anketuarve presin që Putini të kthehet në funksionon e presidentit, ndërsa 32 për qind theksuan se ai do të mbetet kryeministër.

Medvedevin si president pas vitit 2012 e shohin 33 për qind e të anketuarve, ndërsa 26 për qind e shohin në funksionin e kryeministrit.

Në anën tjetër, 70 për qind e të anketuarve theksuan se i besojnë Putinit, ndërsa 65 për qind Medvedevit. 71 për qind e të anketuarve theksuan se besojnë se veprimet e Medvedevit dhe të Putinit janë të koordinuara.

Dhe mediet e huaja po spekulojnë për atë se cili prej tyre do të jetë kandidat në vitin 2012, ndërsa revista amerikane Foreign Policy ka iniciuar një rubrikë të re me emrin “Kremlinologjia 2012”, në të cilën ka theksuar se “me sy skeptik” do të analizojë ngjarjet në Moskë.

Qysh në artikullin e parë në këtë rubrikë u shpalos versioni mjaft i guximshëm se Putin, ndoshta i lodhur nga politika, nuk dëshiron të jetë më president.

Mediet ruse kanë përcjellë shkrimet e medieve të huaja, sipas të cilave vendimin për kandidaturë do ta sjellë Putini, i cili sipas këtyre medieve, po ia dorëzon pushtetin krahut liberal të Medvedevit, ngase ai ka nevojë për Medvedevin si garantues të “jetës së tij komfore dhe të gjatë në pension”.

Sipas këtyre qëndrimeve, Putin e ka të qartë se herët apo vonë kryesimin duhet t’ia bartë përsipër gjeneratës së politikanëve të rinj.

Sipas gazetës zvicerane “Tribune De Geneve”, Putin ka mbështetës të fuqishëm në mesin e partnerëve të tij të dikurshëm evropianë, të cilët nuk do të kishin asgjë kundër kthimit të Putinit në pushtet.

“Në botën e ndryshuar, në të cilën në vazhdimësi ekziston kërcënimi, Evropa synon stabilitetin. Rezultatet e punës së Putinit flasin për stabilitet”, shkroi kjo gazetë.

“Nëse dikush thotë se nuk di se çfarë po ndodh, ai gënjen”, tha një burim nga Kremlini për gazetën “Financial Times”.

Sipas fjalëve të këtij zyrtari nga ekipi i Putinit, si Putini ashtu edhe Medvedevi dëshirojnë që të gjithë të spekulojnë, ngase në momentin kur njëri prej tyre bëhet kandidat, do të dobësohet pushteti i tjetrit dhe këtë nuk e dëshiron asnjëri prej tyre.

Apo, siç ka thënë Putini:”Nëse tani japim sinjale të gabuara, gjysma e administratës dhe gjysma e qeverisë do të ndërpresin punën në pritje të ndryshimeve”.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›