Putin nuk do të marrë çmimin “Quadriga”

Pas polemikave të zhvilluara për ditë me radhë, është anuluar dhënia e çmimit "Quadriga" për kryeministrin rus, Vladimir Putin. Shoqata, e cila ndan këtë çmim ka deklaruar se këtë vit dhënia e tij do të pezullohet.
Kështu, as të nominuarit e tjerë për çmimin nuk do të nderohen këtë vit. Krahas Vladimir Putinit për çmimin ishin nominuar edhe kryeministri palestinez Salam Fayyad, ministrja e Jashtme meksikane Patricia Espinosa dhe mësuesja e shkrimtarja me origjinë turke Betül Durmaz. Plani për të nderuar me çmimin “Quadriga” edhe kryeministrin rus Vladimir Putin ngjalli protesta publike dhe diskutime të ashpra.
Shumë personalitete të nderuara me çmimin më parë e dënuan rëndë vendimin. Artisti danez Olafur Eliasson e ktheu mbrapsht çmimin e tij dhe ish presidenti çek Vaclav Havel kërcënoi se do ta kthente.