Buhler: Nuk pres skenarë të vitit 2004

Forcat paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë kanë zhvilluar një demonstrim ushtarak në veri të Kosovës, saktësisht në kampin “Notting Hill” në zonën e Leposaviqit. Ky demonstrim ka pasur për qëllim të tregojë gatishmërinë për të intervenuar dhe kontrolluar turmat dhe trazirat në raste të nevojshme.
Për të vëzhguar nga afër demonstrimin e KFOR-it prezent gjatë tërë kohës ishte edhe komandanti i kësaj force gjenerali Erhar Buhler. Ai pas përfundimit të demonstrimit në një konferencë për media tha se KFOR-i po tregon se është i gatshëm të reagoj edhe me një strukturë më të vogël.
“Sot patët rastin të shihni një demonstrim për kontrollin e trazirave. Tash jam shumë si bindur se me kalimin e kohës mund t’i bartim përgjegjësit nga KFOR-i tek Policia e Kosovës derisa ata t’i arrijnë kapacitetet e tyre. Kjo është një dëshmi që KFOR-i është i gatshëm të reagojë edhe pse është me strukturë më të vogël dhe ka kapacitetet që të merret me të gjitha protestat”, ka thënë ai.
Edhe pse vlerësoi se situata e sigurisë në Kosovë është e qetë dhe stabile, komandanti i KFOR-it tha se në pjesën veriore të Mitrovicës ekzistojnë struktura radikale dhe ekstremiste që i kërcënojnë njerëzit dhe se këta persona janë në kërkim të Policisë së Kosovës dhe EULEX-it.
Sidoqoftë gjenerali Buhler tha se demonstrimi i sotëm nuk i drejtohet askujt, por është vetëm një mesazh dhe porosi për të dëshmuar se forcat paqeruajtëse janë të gatshme për reagim.
“Për shkak të rregullave dhe angazhimit besoj që nga viti 2004 ne i kemi përmirësuar edhe kapacitetet tona si dhe rregullat e angazhimit, por nuk është i drejtuar ndaj askujt, kjo është vetëm një mesazh dhe një porosi që KFOR-i është i gatshëm për reagim”, është shprehur ai.
Ndërsa sa i përket shpërndarjes së pamfleteve nga ana e serbëve ditë më parë kundër tij në pjesën verioret të Mitrovicës, Buhler ka thënë se këta persona nuk kanë arsyeje për ato veprime të bëra, porse nuk e mërzisin e brengosin shumë këto veprime.
“Jemi në pjesën veriore të Kosovës, mund të shihni sa e qetë është kjo pjesë dhe unë kam takuar shumë njerëz paqedashës këtu, ndërsa disa thonë se në veri jetojnë vetëm kriminelët dhe kjo gjë nuk është e vërtetë, sepse këtu jetojnë njerëzit e qetë e të mirë. E vërtet është që ka struktura radikale dhe ekstremiste të cilët i kërcënojnë njerëzit të cilët nuk dëshirojnë të bashkëpunojnë me Policinë dhe EULEX-in dhe këta janë njerëz janë ata që i kërkon Policia e Kosovës dhe EULEX-I”, ka thënë Buhler.
Ndër të tjera pas vëzhgimit nga afër demonstrimin e KFOR-it komandanti i kësaj force gjenerali Erhard Buhler kë thënë se në të ardhme nuk pret skenarë, sikurse që ishte ai i trazirave të vitit 2004.
“Jo nuk pres skenarë të vitit 2004, por për sa kohë do të jemi këtu dhe për sa kohë do të jemi përgjegjës ne do të e kemi ushtrime të tilla për të qenë të gatshëm të kontribuojmë për një ambient të qetë dhe të sigurt”, ka thënë ai.
Ndërkohë është bërë e ditur se kampi “Notting Hill” në Leposaviq do të jetë i hapur për aq kohë sa të jetë e nevojshme. Trupat paqeruajtëse të KFOR-it tani do të funksionojnë me një strukturë të re me 5 mijë e 500 trupa. /kosovapress/