Putini në Beograd
Kryeministri i Rusisë, Vladimir Putin do ta vizitojë Beogradin, të martën, ku pritet të bisedojë me krerët serbë për Kosovën dhe për realizimin e projektit të gazsjellësit “Rrjedha Jugore” dhe mundësitë e investimeve ruse në Serbi.
Vizita e Putinit në shtetin serb do të zgjasë vetëm pesë orë, ndërsa do të marrë nga Universiteti i Beogradit çmimin “Honoris Causa” për kontribut të jashtëzakonshëm në vendosjen dhe ruajtjen e lidhjeve të forta ndërmjet Rusisë e Serbisë, në shumë fusha.
Në Beograd ai vjen pas vizitës që do t’ia bëjë Sllovenisë, ku do të takohet me presidentin dhe kryeministrin e këtij shteti - Daniel Turk dhe Borut Pahor.
Para ardhjes së Putinit, ambasadori rus në Beograd, Aleksandar Konuzin, ka thënë për gazetën Blic se njëra nga temat kryesore do të jetë çështja e Kosovës dhe se pritet që të përsëritet qëndrimi zyrtar i Moskës për mosnjohje të Kosovës.