E Diel, 1 Nëntor 2026

Konfiskohen 25 tonë pesticide të ndaluara

Nga Express më 19 mars 2011 në ora 21:00

Njësiti i task-forcës për luftimin e kontrabandës dhe Dogana e Kosovës gjatë një kontrolli në një ndërmarrje në rajonin e Gjilanit ka konfiskuar sasi të konsiderueshme të pesticideve dhe herbicideve që janë të ndaluara për t’u shitur në tregun e Kosovës.

Pas kontrollimit të premten në depon dhe lokalin e të dyshuarit B.A. (1962) është gjetur një sasi e konsiderueshme e pesticideve Galition-G-5 si dhe Foxim, ku pas verifikimit në listën e produkteve për mbrojtjen e bimëve të autorizuara për regjistrim, e lëshuar nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, këto dy lloj pesticidesh janë të ndaluara të importohen në Kosovë.

Për shkak të nevojës së inspektimit të mallit në vendngjarje kanë dalë edhe inspektorët fitosanitar dhe së bashku me ta është bërë inspektimi i mallit të dyshuar. Inspektorët fitosanitar kanë vendosur që ky mall të ndalohet përkohësisht, me arsyetimin se këto dy lloj pesticideve nuk figuronin në listën e pesticideve të lejuara për treg dhe import në Kosovë.

Me këtë rast janë konfiskuar 4.395 kilogram pesticidesh të llojit Galition dhe 21.432 kilogramë pesticidesh të llojit Foxim. Rasti është duke u hetuar nga drejtoria e krimeve ekonomike dhe korrupsionit, sepse ka elemente dhe dyshim të bazuar për falsifikim të dokumenteve lidhur me sjelljen e këtij malli në Kosovë.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›