Padi për 111 të masakruar
Nuk e zë vendi vend. Lajmet e fundit që vijnë nga Prishtina e kanë çuar peshë Nexhmedin Gërxhaliun.
Ky banor i fshatit Studime të Vushtrrisë po përjeton rëndë ato që kanë ndodhur të mërkurën. Akuza për krime lufte që EULEX-i ka ngritur për ish-luftëtarët e UCK-së e ka rënduar thellë në shpirt. Ky njeri tash e 12 vjet jeton vetëm me kujtimet dhe fotografitë e 12 anëtarëve të familjes. Të gjithë u vranë për një ditë. Paramilitarët serbë hynë në shtëpinë e tij dhe i vranë të gjithë, shumica nga ta fëmijë. Nënën, vëllanë me familje, bashkëshorten dhe djalin tetëvjeçar. I vetmi që shpëtoi ishte Nexhmedini, i cili më 31 maj të vitit 1999 gjendej larg tyre, në Gjermani. Ai është rikthyer për të jetuar në shtëpinë ku ka ndodhur masakra, por nuk po mund të gjejë qetësi shpirtërore. Deri më tani askush nuk u dënua për masakrën që ndodhi në shtëpinë e tij e as për masakrën që ndodhi më 2 maj në fshatin Studime, ku u vranë 111 persona.
“Na kanë vra gjithë këta njerëz, e tash prapëseprapë ne jemi fajtorë”, thotë Nexhmedin Gërxhaliu.
Të nxitur dhe të indinjuar nga krejt këto, Nexhmedini së bashku me disa të afërm të gjakut të tij janë duke menduar që të iniciojnë një padi kundër Serbisë, në emër të fshatit. Ibrahim Gërxhaliu,dëshmitar i masakrës së Studimes, thotë se ka biseduar me banorët dhe janë duke menduar që së shpejti ta bëjnë një padi kundër shtetit të Serbisë.
“Dikush duhet të marrë përgjegjësi për vrasjen e 111 njerëzve këtu. Unë kam qenë vetë dëshmitar ku njerëzit janë ekzekutuar nga afërsia”, thotë Ibrahim Gërxhaliu. Në masakrën e Studimes atij i janë vrarë vëllai dhe babai, vrasjen e të cilëve e ka parë me sytë e tij. Në lidhje me atë çka ka parë para 12 vjetësh, Ibrahimi kishte ngritur një padi ndaj një serbi nga Vushtrria në Gjykatën Komunale të Vushtrrisë në vitin 2000. Por, edhe pse kanë kaluar 11 vjet, Ibrahimi deri më tani nuk ka marrë asnjë përgjigje, qoftë negative apo pozitive. “Unë kam ngrit padi ndaj Bogoljub Stojanoviqit, ish-punëtor në Fabrikën e Llamarinës, ku ka punuar edhe baba im. Dyshoj në të sepse kur e kanë zbrit babën tim nga rimorkioja e traktorit, së pari e ka pyet ku punon e pastaj e kanë vra. Më pastaj ky njeri pas luftës e ka pyetur një banor të fshatit tonë se a është vrarë edhe Shukri Gërxhaliu, kushëri i joni dhe mjek me profesion”, tregon Ibrahim Gërxhaliu. Por, ajo padi ka humbur diku dhe, sipas Ibrahimit, asnjëherë askush nuk është marrë me të.
Ky djalë që ka shpëtuar nga masakra duke ikur nga traktori dhe duke u fshehur në përrua, ka menduar shumë herë që sërish të ndërmarrë diçka në mënyrë që përgjegjësit për masakrën e Studimes të dalin para drejtësisë. Por, tash më shumë se kurrë është nxitur që të bëjë diçka. “Unë së bashku me krejt banorët do të mundohem që ta bëjmë një padi si fshat, por jo ndaj individëve, por ndaj shtetit të Serbisë. Nuk e di çfarë dëshmish më të mëdha duhen kur atë ditë janë vrarë 111 njerëz, shumë nga ta gra dhe fëmijë”, thotë Ibrahimi. Ai tregon se ka shumë dëshmitarë të masakrës, pasi që ka pas shumë refugjatë nga të gjitha pjesët e Kosovës që kanë qenë të dislokuar në fshatin Studime. Në fakt, në këtë fshat gjenden varrezat e atyre që e kanë një datë të përbashkët të vdekjes 2 maj të vitit 1999. “Ushtarët e UÇK-së burgosen për krime lufte veç me thashetheme e këtu krejt e dinë çka ka ndodh. Dihen krerët e policisë në Vushtrri. Është inspektori Vuçina që e kanë njohur krejt Kosova për famën e tij të keqe, pastaj ka edhe shumë tjerë”, thotë Ibrahim Gërxhaliu. Por, ky banor i Studimes fajëson edhe vetveten, fshatin, komunën dhe institucionet qendrore. “Ne deri më tani kemi heshtur, kemi jetuar si parazitë, ndërkohë që Serbia ka punuar dhe ja tash akuzat për krime për ish-luftëtarët e UCK-së”, thotë Ibrahimi.
Se ka shumë dëshmi tjera në lidhje me masakrën e Studimes flet edhe njeriu që udhëtoi shpesh në Hagë. Mjeku Shukri Gërxhaliu ka dëshmuar në procesin kundër Sllobodan Millosheviçit dhe Vllastimir Gjorgjeviçit. Mjeku Gërxhaliu thotë të ketë shumë dokumente për të ngritur padi si fshat. “Unë kam fotografitë nga masakra, kam dëshmitë e shumë femrave të dhunuara nga policia serbe, kam emrat e atyre serbëve që janë armatosur nga ushtria serbe në vitin 1999”, thotë mjeku Gërxhaliu.
Familja Gërxhaliu është vetëm njëra prej shumë familjeve në Kosovë që kanë shumë njerëz të vrarë në luftë. Por, Nexhmedin Gërxhaliu e ka një shpresë. “Gjithë u kanë se gjaku nuk humb. Edhe gjaku i atyre që u vranë nuk do të humbë”, thotë Nexhmedin Gërxhaliu.
Familjarët e vrarë të Nexhmedin Gërxhaliut
Sala Gërxhaliu(1925), Sofie Gërxhaliu(1963), Safer Gërxhaliu(1991), Selatin Gërxhaliu(1950), Fexhrije Gërxhaliu(1960), Sabahudin Gërxhaliu(1992), Abdurrahim Gërxhaliu(1989), Mexhid Gërxhaliu(1988), Muharrem Gërxhaliu(1985), Shaban Gërxhaliu(1985), dhe Shahin Gërxhaliu(1984)