Kërkesa për Baroneshën

Pala kosovare dhe ajo serbe në takimin e radhës në Bruksel, më 25 dhe 26 mars, pritet të diskutojnë çështjen e telekomunikacionit dhe energjisë elektrike.
Delegacionet e Prishtinës dhe Beogradit kanë nisur dialogun në fillim të këtij muaji, duke diskutuar për çështjet praktike si regjistri civil, dokumentet kadastrale, CEFTA- dhe vula doganore.
Por, pas dy ditësh të dialogut të ndërmjetësuar nga zyrtari i lartë i BE’së, Robert Cooper, nuk është arritur ndonjë marrëveshje.
Sido që të jetë, Cooper nuk i ka ndalur përpjekjet duke u kthyer në Prishtinë dhe Beograd menjëherë pas përfundimit të raundit të parë.
Tashmë është bërë e ditur se për çdo dy javë palët në Bruksel do t’i diskutojnë nga tri tema –dy të propozuara nga palët dhe një nga Bashkimi Europian.
Kryesuesja e delegacionit të Kosovës në këto bisedime, Edita Tahiri ka përsëritur edhe një herë se në secilin takim do të flitet për tema praktike.
“Në agjendën e bisedimeve do të përfshihen të gjitha çështjet praktike, që kanë hasur në pengesa në periudhën pas çlirimit të Kosovës. Përpjekja është që të ketë zgjidhje konstruktive”, ka thënë Tahiri për Radion Europa e Lirë.
Ajo ka theksuar se asnjë nga temat që njëherë shtrohet për diskutim nuk trajtohet në takimet e mëpastajme.
Partitë opozitare dhe një pjesë e shoqërisë civile janë duke i kundërshtuar bisedimet me Serbinë.
Derisa dialogu është duke u mbështetur nga shtetet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës me arsyetimin se Kosova do të përfitojë nga ky dialog.
Çështja se çka do të përfitojë Kosova nga dialogu me Serbinë pritet të jetë edhe objekt diskutimesh me përfaqësuesen e Lartë të BE’së Catherine Ashton, e cila do të takojë autoritetet kosovare në fund të muajit në Prishtinë.
“Në këtë takim, dhe jo vetëm në këtë takim, ne vazhdimisht kërkojmë nga BE-ja që të dihet se cilat do të jenë përfitimet e Kosovës në rrugën e integrimit në BE. Kërkojmë qartësimin e agjendës së fuqizimit të rrugës së Kosovës drejt BE-së. Ne kërkojmë që të kemi përfitim liberalizimin e vizave, hyrjen në marrëdhënie kontraktuale, nënshkrimin e Marrëveshjes së Asociim-Stabilizimit si dhe të përshpejtohet statusi i kandidatit për BE për Kosovën”, ka thënë Tahiri.
Sido që të jetë, përfaqësues të opozitës kosovare nuk janë bindur se vendi do të përfitojë nga ky dialog.
Deputeti i partisë më të madhe opozitare, Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, thotë se në mungesë të një strategjie, fundi i dialogut do të jetë i paparashikueshëm.
“Nuk ka ndonjë platformë mbi të cilën është ndërtuar strategjia e diskutimeve me Serbinë. Kjo ka ardhur si rezultat i presioneve kryesisht nga Serbia dhe nga bashkësia ndërkombëtare, me një rezolutë që është aprovuar vjeshtën e vitit të kaluar. Gjithë kjo është situatë, në të cilën institucionet e Kosovës nuk janë aktori kryesor, por janë pjesë pasive e negociatave”, ka thënë Gashi.
Pala kosovare tashmë ka bërë të ditur qëndrimin e saj se do të diskutojë vetëm çështjet praktike e jo ato që mund të prekin edhe statusin.
Kryeministri Hashim Thaçi ka përjashtuar mundësinë që veriu të jetë objekt bisedimesh me Serbinë, duke thënë se nuk vjen në shprehje kurrfarë statusi special për atë pjesë. E Presidenti Behgjet Pacolli ka bërë madje edhe një kërcënim, duke thënë se do të jetë ai i pari që do të kërkojë ndërprerjen e bisedimeve nëse çështja e ndarjes së vendit vihet të tryezën e bisedimeve.
Deputeti Gashi, nga LDK-ja, thotë se këto qëndrime nuk do të merren seriozisht nga bashkësia ndërkombëtare.
“Qeveria ka vija imagjinare, siç është edhe vetë imagjinare në kuptimin e përfaqësimit të interesit të qytetarëve të Kosovës. Ato vija nuk janë vija që janë hedhur në letër, nuk janë vija që janë imponuar para bashkësisë ndërkombëtare dhe nuk janë vija që do të merren seriozisht as nga bashkësia ndërkombëtare”.