E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori, Bregu: Më 31 mars ia dorëzojmë KE-së

Komiteti Ndërministror i Integrimit ka shqyrtuar 30 kapituj

Dokumenti më i rëndësishëm për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian do tu dorëzohet autoriteteve të Komisionit Evropian në datën 31 mars. Një gjë e tillë u konfirmua dje nga ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, e cila informoi se institucionet e vendit brenda këtij afati do të kenë përmbushur të gjitha detyrimet që lidhen me plotësimin e pyetësorit dhe do të kenë shqyrtuar të gjitha pyetjet. Sipas saj Komiteti Ndërministror i Integrimit ka shqyrtuar 30 kapituj, ndërsa javën e ardhshme do të sjellë dhe përfundimin e 5 kapitujve të fundit. Ministrja e Integrimit, Bregu, theksoi se situata politike në vend mund të ndikojë në opinionin që do të jap Komisioni Evropian në lidhje me standardet e vendit. Sipas saj, përgjegjësia për mungesën e zgjidhjes së krizës politike është e lidershipit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Në këtë mënyrë qeveria shqiptare me datën 31 mars do të ketë në dorë dokumentin e përfunduar evropian, mbi bazën e të cilit Komisioni Evropian do të japë opinionin për Shqipërinë mbi statusin e vendit kandidat. 30 kapituj tashmë kanë marrë vulën përfundimtare të Komitetit Ndërministror të Integrimit, java që vjen do të jetë përfundimtare edhe për 5 kapitujt e fundit të pyetësorit. Por ministrja Bregu nuk përjashton faktin se Brukseli zyrtar në vlerësimin e tij të ndikohet nga situata politike në Shqipëri. Zonja Bregu i faturon përgjegjësinë për mungesën e një zgjidhjeje të ngërçit politik lidershipit të Partisë Socialiste. Kriteri politik nuk ndikon në një tjetër proces të rëndësishëm, sikurse është ai që ka të bëjë me liberalizimin e vizave. Plotësimi i kritereve teknike, që përmban udhërrëfyesi evropian, i hap dritën jeshile këtij procesi. Ministrja e Integrimit theksoi dhe një herë se janë të gjitha shanset, që vendimi për Shqipërinë lidhur me liberalizimin e vizave të merret brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2010.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›