E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vizat, Berisha takon liderët evropianë: Jo vlerësim në grup

Bruksel, Berisha takon Merkel, Berlusconin, Martens, Reinfeld, Juncker etj.

Brukseli e kthen në çështje dite çështjen e vizave me shqiptarët, ndërkohë që Kryeministri i vendit, Sali Berisha, u kërkoi dje liderëve evropianë që të vlerësojnë Shqipërinë mbi bazën e performancës dhe jo si paketë me Bosnje-Hercegovinën. Z. Berisha gjatë samitit të PPE-ve, i zhvilluar dje në Bruksel, informoi vendet anëtare për progresin real që ka bërë Shqipëria në drejtim të liberalizimit të vizave, duke marrë garancinë e tyre për një vlerësim të ndershëm dhe korrekt. Gjatë këtij samti, Kryeministri Berisha u takua me homologët evropianë, të cilëve u bëri të njohur situatën progresiste në vend, duke këmbëngulur në heqjen e shpejtë të vizave. Gjatë samitit, takova të gjithë kryeministrat e qendrës së djathtë: znj. Angela Merkel, Kryeministrin Berlusconi, Kryeministrin Fredrik Reinfeld, Kryeministrin Jean-Claude Juncker dhe të gjithë kryeministrat e pranishëm këtu. Që të gjithëve, pa përjashtim, unë u kam kërkuar vlerësimin e Shqipërisë mbi bazën e performancës për çështjen e vizave. Unë i informova ata për progresin real që ka bërë Shqipëria në përmbushjen e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga udhërrëfyesi, - u shpreh z. Berisha. Ai konfirmoi më tej se ka marrë garanci të plota për një vlerësim të ndershëm për problemin e vizave për Shqipërinë. Gjatë një prononcimi për TVSH-në, Berisha u shpreh: Besoj se ky ishte me të vërtetë një moment jashtëzakonisht i dobishëm për këtë proces. Natyrisht, kam diskutuar me miq të mi edhe probleme të tjera, të marrëdhënieve bilaterale, të marrëdhënieve ndërpartiake. Më tej, z. Berisha bëri të ditur se një tjetër takim të zgjeruar kishte pasur me kryetarin e Partive Popullore Evropiane, z. Wilfried Martens, të cilin e ka informuar për të gjitha zhvillimet në Shqipëri, por edhe me disa prej miqve të tij të cilët i njohu me zhvillimet e fundit në Shqipëri, por në këto takime vizat ishin pika kryesore. Më tej Berisha garantoi shqiptarët se brenda vitit të parë të mandatit të dytë do të merret vendimi për heqjen e vizave. Berisha ka vendosur ti qëndrojë kësaj plotësisht, por duke theksuar se marrja e vendimit është gjëja më kryesore, ndërsa zbatimi i vendimit është në tagrin e tyre, kanë teknikalitetet. Unë jam optimist dhe i sigurt se vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit tonë të dytë, ashtu sikurse është premtuar, - tha Berisha. Kryeministri njoftoi më tej se qeveria do të fillojë një fushatë të gjerë ndërgjegjësimi për qytetarët shqiptarë. Kjo, sipas tij, në mënyrë që të mos të ndodhin ato që ndodhën me qytetarët e vendeve të tjera, të mos ketë asnjë lloj keqkuptimi, që këtu nuk mund të bëhet fjalë të kërkosh azil dhe se ajo është vetëm një praktikë shumë e dëmshme dhe për të cilën ne do të vendosim të gjitha kushtet dhe parametrat e nevojshëm që të mos të ndodhë, por vendimi do të merret brenda vitit të parë të mandatit të dytë. Në kushte të tilla, Kryeministri Berisha nuk do të pranojë asnjë lloj lidhjeje me asnjë vend tjetër për sa i përket heqjes së vizave. Uroj që edhe Bosnja ta marrë, por e kam theksuar se nuk dua vlerësim në paketë. Unë dua vlerësim në performancë dhe tregues. Ky është qëndrimi im. Treguesit dhe performanca jonë janë të gjitha të qarta dhe këtu nuk besoj që këto gjëra të lidhen njëra me tjetrën, - theksoi z. Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›