Imami: Sjemi kundër Serbisë në NATO
Shqipëria nuk kundërshton planin strategjik të NATO-s për zgjerimin e saj me anëtarë të rinj
Shqipëria nuk kundërshton planin strategjik të NATO-s për zgjerimin e saj me anëtarë të rinj, konkretisht me hyrjen e Serbisë në strukturën e Atlantikut të Veriut. Ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, gjatë referimit në një konferencë për konceptin e ri të strategjisë që NATO po harton, u shpreh përpara ushtarakëve më të lartë në vend se Shqipëria nuk do të jetë kundër as për hyrjen e Serbisë në NATO apo edhe të vendeve të tjera të rajonit. Gjatë referencës për planin politik të kësaj strategjie, z. Imami vuri në dukje se Shqipëria është dakord edhe në lidhje me politikat e reja të Aleancës së Atlantikut, në lidhje me Rusinë dhe vendet e Amerikës Latine. Për sa i përket anëtarësimit të Kosovës në NATO, Shqipëria është mjaft e qartë, pro hyrjes së shtetit më të ri të Kosovës. Për këtë ministri i Mbrojtjes, Arben Imami, deklaroi se Kosova duhet të bëhet pjesë e Aleancës së Atlantikut të Veriut. Më tej, ministri Imami shprehu disa mendime lidhur me Konceptin e Ri Strategjik të Aleancës, duke u ndalur veçanërisht tek roli dhe misioni i saj në arkitekturën e re të sigurisë ndërkombëtare. Në këtë kontekst, ai foli për raportet mes NATO-s dhe BE-së, si struktura bashkëpunuese dhe jo konkurruese në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe të sigurisë. Sipas tij, ato duhet të koordinojnë përpjekjet në zhvillimin e kapaciteteve duke evituar dublikimet, për të siguruar efektivitet operacional më të lartë. Për sa i përket partneritetit, ministri i Mbrojtjes u shpreh se Aleanca është e angazhuar dhe pritet të angazhohet në operacione në largësi strategjike globale. Kjo kërkon që NATO të ndërtojë partneritete të qëndrueshme me demokracitë përtej bashkësisë euroatlantike, me partnerë dhe vende me të cilat Aleanca ndan vlera të përbashkëta si Australia, Japonia, Zelanda e Re etj. Vend të veçantë në kumtesë zuri edhe trajtimi i raporteve të NATO-s me Rusinë, për politikën e dyerve të hapura, për pranimin në Aleancë edhe të vendeve të tjera, duke përfshire edhe Kosovën. Pavarësisht se Koncepti i Ri Strategjik është në proces diskutimi e miratimi, - nënvizoi në fund të fjalës së tij Ministri Imami, - sfidat për përballimin e rreziqeve dhe kërcënimeve janë të përhershme. Prandaj nga ne kërkohet: sigurimi i kapaciteteve të reja për realizimin e një mbrojtje efektive kundër terrorizmit dhe sulmeve në rrjetet e internetit; transformim në mënyrën e planifikimit, organizimit dhe kryerjes të operacioneve; duhet të reformojmë strukturat dhe organizimin tonë, për të ardhmen na duhet një Forcë e Armatosur më operacionale, struktura të sigurisë më efektive dhe më pak burokratike, me burime financiare e njerëzore të adresuara me prioritete. Përpjekja jonë duhet të jetë për të minimizuar burokracinë dhe për ti alokuar fondet në interes të rritjes të kapaciteteve operacionale. Ruajtja në vijimësi e mbështetjes së mbrojtjes me 2% të GDP është njëherësh inkurajim dhe detyrim për të gjitha strukturat e mbrojtjes për ta përdorur atë me efikasitetin maksimal në interes të forcimit të sigurisë dhe mbrojtjes së vendit. Në planifikimin e mbrojtjes duhet të mbahet në konsideratë balancimi i nivelit të ambicieve me burimet në dispozicion.