E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetësori: Në Shkodër 3 në4 studentë i blejnë provimet

SHKODER- Në Universitetin "Luigj Gurakuqi" të Shkodrës, 3 në 4 studentë kanë deklaruar se kanë blerë me para provimet qoftë dhe një herë të vetme. Rezultatet janë produkt i një pyetësori të realizuar nga Këshilli Studentor i Universitetit  (K.S.U.SH) një ditë më parë nga ora 9:30-11:00. Ai është shpërndarë në të njëjtën kohë në të gjashtë fakultetet e Universitetit "Luigj Gurakuqi".

Në pyetësor morën pjesë 300 studentë, 50 për secilin fakultet të USH-së. Pyetjes A keni dhënë para (lekë), qoftë dhe vetëm njëherë, për të marrë një lëndë?

222 studentë, pra 74% të të anketuarve i janë përgjigjur PO dhe 78 studentë, 26% e të anketuarve i janë përgjigjur JO.

Fakulteti i Drejtësisë ka shkallën më të lartë të korrupsionit me 88%, ndërsa më të ultin Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 58%.
Pyetësori përbëhej dhe nga 3 pyetje të tjera, në lidhje me kushtet e e auditoreve, a ka ndikuar media rol në uljen e korrupsionit dhe a respektohen oraret e punës nga Sekretaritë Mësimore.

67% NUK JANE PERMIRESUAR KUSHTET NE AUDITORE
Përsa i përket përmirësimit të kushteve në sallat dhe auditoret e Universitetit « Luigj Gurakuqi », 67% e studentëve përgjigjen se kushtet nuk janë përmirësuar. Nga të gjashtë fakultetet e këtij universiteti, Fakulteti Ekonomik paraqitet më problematiku, ku 90% e studentëve të këtij fakulteti shprehen se kushtet nuk janë përmirësuar. Ky fakultet prej vitesh vuan mungesën e theksuar të mjediseve për të zhvilluar normalisht procesin mësimor. Nga ana tjetër fakulteti që paraqitet më mirë është ai i Shkencave të Edukimit, ku 52% e studentëve të të cilit shprehen se kushtet janë përmirësuar. Sivjet në këtë fakultet janë realizuar disa investime në infrastrukturë.

Rreth 40,3% e studentëve të Universitetit, pjesëmarrës në pyetësor janë shprehur se media ka luajtur rol në uljen e korrupsionit. Në Fakultetin e Drejtësisë 82% e studentëve përgjigjen se media nuk ka luajtur rol në uljen e tij, ndërsa 54% e studentëve të Fakultetit të Gjuhëve të Huaja përgjigjen se media ka luajtur rol të rëndësishëm në uljen e korrupsionit.

Pyetjes a respektohen oraret e punës nga Sekretaritë Mësimore (SM)
54,3% e studentëve përgjigjen se Sekretaritë Mësimore (SM) respektojnë oraret e tyre të punës. Në dy fakultete situata paraqitet më tepër problematike, në Fakultetin e Drejtësisë ku 66% e studentëve shprehen se orari i punës nuk respektohet nga Sekretaria Mësimore dhe në Fakultetin e Shkencave Shoqërore, ku 58% e studentëve të saj mendojnë po të njëjtën gjë. Situata paraqitet më e mirë në Fakultetin e Shkencave të Edukimit, ku 68% e studentëve përgjigjen se respektohen oraret e punës nga Sekretaria Mësimore dhe Fakulteti i Gjuhëve të Huaja me 64%.
(sg/shqiptarja.com)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›