E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pyetini nëse janë të lumtur

Pikë shitjesh gazetash e revistash, Tiranë. Si çdo mëngjes, ndaloj të blej syresh te një burrë plak i cili ka sajuar një nderëse rrobash me kartonë përsipër si tavolinë, rrugës për në zyrë, pranë Ushtarit të Panjohur. Preferoj të lë parà tek ata që ia kanë nevojën më shumë, pavarësisht paraqitjes estetike. Burri plak më falënderon dhe buzëqesh çdo mëngjes, paqtë; nganjëherë kur largohem mendoj se me siguri që do të ketë dhe të tjerë të cilët sikurse unë, ia lakmojnë qetësinë me të cilën ai përball ditën kur lind dielli, çdo ditë kur lind dielli. Paqtë, edhe po nuk bleve gjë do të të falënderojë dhe buzëqeshë sidoqoftë.

Çdo mëngjes, kur lind dielli, lë shtëpinë, kaloj pranë këtij plaku e shoshis vëmendshëm numrin aq të madh (e mbase të panevojshëm) të gazetave vendosur mbi tavolinën e sajuar, trishtohem disi, nganjëherë disi shumë, ja ashtu, mbase siç na ndodh të gjithëve; e prej një muaji kujtoj mençurinë e shkrimit të një gruaje të quajtur Aurela - shkrim mbi urrejtjen, moskomunikimin, baltën, edhe trishtimin që pandashëm kjo sjell. E kotë të kujtoj se lajmet janë të mbushura me urrejtje - aparente apo të vërtetë - me goditje llumë-pista, me gënjeshtra, me llapangjosje servile e me ironira që s‘vlejnë një lek; e mbi të gjitha, me pa dëshirë për t‘i dhënë kurajë tjetrit. Kujtoj Konicën, Eqrem Bej Vlorën e të gjithë ata shqiptarë të mençur që binin dakord në një pikë: shqiptari ka natyrë lakmitare, preferon të shajë lopën e tjetrit sesa të ushqejë të vetën. Në fund të të tilla shkrimeve, kur tërheq sytë prej librit, nuk është bash e vështirë ta ndiesh veten ca idiot. Dhe ca të dëshpëruar.

Çdo mëngjes, kur lind dielli, lë shtëpinë, kaloj pranë këtij plaku e riblej informacion, kuptoj se kemi një sport fort të dashur: të treguarit me gisht, sharjen dhe vendosjen e lupës mbi çdo gabim. Kush mëkaton i hedh të gjithë gurët. E më vjen keq, kaq keq, kur shoh se sa lehtazi qenia braktis qenien, se sa lehtë moshatarë të mi kthehen në bisha dhëmbëkërcitëse përballë moshatarëve të tjerë. Nëse unë nuk ia dal, pse ky tjetri t‘ia dalë? Qartë. Therëse, spektakolare, si teatër ku aktorët lëvizin me histerinë e kafshëve barkboshe. Sa të drejtë ke moj Aurela. Sa do të doja, që aktorët e kësaj farse të mos i përngjanin marionetave të çmendura prej inatit ndaj tjetrit - benzinë që digjet në sfond e që shpesh hedh tym të zi në ngjyrosjen e portokalltë të mbrëmjes. Zhurma qesharake të mbijetuara ndaj një teatri në shpërthim.

Çdo darkë, kur perëndon dielli, rigjej shtëpinë, ngjis shkallët, hap derën e ndihem mirë për të gjithë ata njerëz të cilët më kanë thënë: "Kurajë, mund t‘ia dilet dhe kur era që të fryn përballë është e fortë". Ndihem e paqtë, ndihem mirë se ky vend prodhon dhe të tillë, nga ata që të mbrojnë shpatullat, që kundërshtimin e kanë konstruktiv, nga ata që punojnë e që duan të rriten bashkë me ty, nga ata të cilët merren me thelbin, me fjalën, me argumentin, me atë çka në të vërtetë je, e jo me atë që do të donin të ishe për të mund të të luftuar më lehtë. I them vetes se janë këta njerëz pasuria e vetme që unë kam.

Çdo darkë, kur dielli ka perënduar dhe ekzistenca ime është e mbyllur në katër mure e një dritare e cila gjithmonë qëndron e hapur, kthehem nga njeriu që shtrihet përkrah meje dhe i them: "Kurajo, mund t‘ia dilet dhe kur era që të fryn përballë është e fortë"; dhe përgjumem duke vendosur në vendin e parë të listës sime të ditës së nesërme se këtë frazë do ta përsëris shumë herë gjatë ditës. Do t‘ia them dhe atyre që mendoj se kanë gabuar, në fund të fundit të gjithë gabojmë çdo ditë, do të mendoj gjithashtu, se mbase jam dhe unë që po gjykoj gabim. Do t‘ia them moshatarëve të mi të cilët sikurse dhe unë shpesh mendojnë të heqin dorë, zhgënjehen prej atyre tek të cilët kanë besuar, shohin veten të baltosur prej derrash në stan, që punojnë fort, dhe që ndiejnë se sidoqoftë, çfarëdo të bëjnë, do të ketë një masë të madhe njerëzish për të cilët do të jetë e pamjaftueshme, gjithmonë, jo sepse vërtet është e tillë, por për arsyen e vetme se ata vetë nuk e bëjnë dot e si pasojë përbaltja e tjetrit duket e vetmja mënyrë për t‘u ndier pak më pak i dëshpëruar, më i barabartë.

Çdo mëngjes, kur lind dielli, çdo darkë, kur ai perëndon, më qëllon që shkarazi apo vëmendshëm të mendoj për të gjithë këta njerëz, për të gjithë ata të cilët i djegin ditët e veta nën flakë të pista urrejtjeje, që e kanalizojnë energjinë e tyre kaq negativisht e që të gjithë forcën që kanë e përdorin në shërbim të shembjes së kalasë së fqinjit e jo të ndërtimit të një për vete, thjesht e vetëm sepse të shkatërrosh është më e lehtë dhe më mirë të dy pa kala se sa fqinji të shijojë punën e mundit të vet. Pyes veten, nëse në fund të ditës, këta njerëz janë vërtet të lumtur.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›